Topalli i kërkon Kubës të njohë Kosovën
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua dje me ambasadorin e Kubës që mbulon marrëdhëniet me Shqipërinë, Gerardo Suarez Alvares, me të cilin diskutoi çështjen e Kosovës. Topalli tha se Shqipëria do të vlerësonte njohjen nga Kuba të pavarësisë së Kosovës, e njohur tashmë nga 62 vende, 90 për qind vende të BE-së. Ajo theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës është thelbësore, sepse ka të bëjë me paqen në rajonin tonë. Duke e konsideruar takimin me kryetaren e Kuvendit si shumë të veçantë për nga rëndësia, ambasadori kuban theksoi se forcimi i marrëdhënieve dypalëshe është ndër prioritetet e punës së tij. Kryetarja e Kuvendit dhe ambasadori Suarez biseduan për idenë e ngritjes së grupeve parlamentare të miqësisë në parlamentet reciproke, gjë që do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit. Ambasadori Suarez vlerësoi progresin impresionues të Shqipërisë, duke shtuar se Kuba është e interesuar për të dinamizuar marrëdhëniet ekonomike, por edhe ato në fushën e kulturës përmes shkëmbimit të turistëve apo përfaqësuesve të biznesit. Ambasadori Suarez shprehu kënaqësinë për një vizitë zyrtare të kryetares së Kuvendit dhe delegacionit parlamentar në Kubë.