E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frattini siguron Metën: KE në 2010-n heq vizat për shqiptarët



Diplomacia italiane përmes kreut Franco Frattini vlerëson se Shqipëria po i afrohet plotësimit të të gjitha kushteve teknike për të arritur liberalizimin e vizave. Në kushte të tilla, ministri i Jashtëm italian siguroi dje homologun shqiptar, Ilir Meta, se KE-ja brenda një viti do të bëjë të mundur heqjen e vizave për shqiptarët. Frattini u angazhua që të ngrejë sërish çështjen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbledhjen e ardhshme të ministrave të Jashtëm evropianë, në program me 26 tetor në Luksemburg. Sipas tij, Italia është avokati kryesor i Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë evropian dhe garantoi se brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm, Komisioni Evropian do të marrë vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. "Për sa i përket kësaj çështjeje, në mbledhjen e ardhshme të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian do të trajtoj sërish çështjen për paraqitjen e shpejtë të kërkesës së Shqipërisë në Komisionin Evropian për nisjen e procedurave përkatëse". Shefi i diplomacisë italiane shpjegoi se "kjo procedurë mund t'i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE", - deklaroi z. Franco Frattini. Ai tha më tej se është në dijeni të një lloj ngurrimi nga një numër shumë i vogël vendesh anëtare, por se shpresonte që qëndrimi i Romës zyrtare të mbështetet nga shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. "Shqipëria ka arritje të dukshme në të gjitha fushat, veçanërisht në ato të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kontrollit të kufijve, forcimit të shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut”, - theksoi ministri Frattini. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë takimit me ministrin Frattini diskutoi gjerësisht për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, liberalizimin e vizave dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Nga e tij, z. Meta garantoi se "qeveria shqiptare do të përmbushë në kohë të gjitha standardet që kërkon procesi i liberalizimit të vizave". “Për ne integrimi evropian i Shqipërisë dhe anëtarësimi në BE i saj është synimi ynë kryesor. Ne jemi fuqimisht të angazhuar në këtë drejtim dhe po bëjmë gjithcka për të konsoliduar progresin në këtë drejtim. Ne besojmë se në të ardhmen e afërt Këshilli do të trajtojë aplikimin tonë dhe gjithashtu Komisioni Evropian do te japë pyetësorin dhe ne do të angazhojmë të gjitha aftësitë tona për t’iu përgjigjur këtij pyetësori si edhe sfidave të përfshira në të. Gjithashtu do të dëshmojmë se Shqipëria është gati për të marrë së afërmi statusin e kandidatit”, - deklaroi z.Meta. Në këtë kuadër, u vlerësua vizita e ardhshme e ministrit të Brendshëm italian në Tiranë, gjatë muajit nëntor. Ministri i Jashtëm i Italisë vuri në dukje se si po ndryshon tabloja ndërkombëtare. "Përpara dhjetë vjetësh ardhja e emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria ishte një problem alarmues për sigurinë, ndërsa sot, Shqipëria që ka dërguar ushtarë përkrah forcave tona në Afganistan, është një vend që prodhon siguri", - u shpreh z. Frattini. Dy ministrat konfirmuan gjendjen e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe fushat e shumta të bashkëpunimit. Gjatë këtij takimi u ra dakord që marrëdhëniet mes dy vendeve të ngrihen në një nivel edhe më të lartë, në të gjitha fushat me interes reciprok, duke pasur si synim nënshkrimin së afërmi të dokumentit dypalësh për partneritet strategjik, i cili do të shoqërohet me samite periodike të nivelit më të lartë midis dy qeverive. Dy homologët ranë gjithashtu dakord që "mes dy vendeve të forcohet edhe bashkëpunimi në nivel rajonal, sikurse do të jetë Nisma Adriatiko-Joniane apo e Evropës Qendrore". Lidhur me zhvillimet në rajon, bashkëbiseduesit vlerësuan rolin e Shqipërisë si një faktor paqeje dhe stabiliteti. Ata vlerësuan gjithashtu kontributin dhe bashkëpunimin e trupave italiane dhe atyre shqiptare, të cilat janë të dislokuara në Afganistan, duke evidentuar faktin se "Shqipëria është një ndër vendet që eksporton siguri dhe kontribuon në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë". Gjatë takimit u diskutua edhe për integrimin e mëtejshëm të komunitetit shqiptar në shoqërinë italiane, i cili tashmë ka kaluar nga faza e emergjencës së një emigracioni klandestin, drejt një integrimi dhe kontributi gjithnjë e më të plotë në shoqërinë italiane. Në takim u fol dhe për krijimin e një samiti ndërqeveritar periodik ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, ashtu siç po bëhet edhe me Serbinë. "Një samit me pjesëmarrjen e dy kryeministrave dhe shumë ministrave të tjerë, që të shkojë përtej një marrëveshjeje strategjike për bashkëpunim dypalësh. Një lloj formalizimi i marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve që investojnë në shumë fusha të ndryshme", - shpjegoi ministri italian. Ministri Franco Frattini vuri në dukje interesin e Italisë në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë zonën në përgjithësi si dhe nënvizoi se Iniciativa Qendrore Evropiane duhet të ringjallet dhe duhet të shihet si një forum politik për bashkëpunim rajonal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›