Marrëveshja energjitike që godet BE-në
"BEOGRAD - MOSKË"
Rusia ka blerë monopolin mbi naftën në Serbi dhe marrëveshja e arritur midis këtyre dy vendeve i lejon Moskës të transportojë më shumë gaz nëpërmjet Serbisë në Evropë, duke shfrytëzuar gazsjellësin "Rryma e Jugut". Gjiganti shtetëror energjetik në Rusi, "GazProm" është pajtuar të blejë 51 për qind të aksioneve të Industrisë shtetërore të Naftës në Serbi, duke i dhënë kësisoj edhe një goditje tjetër ambicieve të Bashkimit Evropian, për të ndërtuar një gazsjellës të vetin, nëpërmjet të cilit gazi në Evropë do të transportohej nga Irani dhe Azerbajxhani nëpërmjet Turqisë.
Projekti "Nabucco" për ndërtimin e gazsjellësit ka lindur si një opsion për t'i mundësuar Evropës zvogëlimin e varshmërisë së saj nga Rusia, e cila aktualisht furnizon çerekun e gazit natyror në bllokut evropian. Një ekspert mbi çështje energjetike, Borut Gergic thotë se, "sa për marrëveshjen midis Rusisë dhe Serbisë, fajtor i vetëm është Bashkimi Evropian. Në të gjitha bisedimet me Serbinë, mbi statusin politik të Kosovës, Bashkimi Evropian asnjëherë nuk e ka ngritur çështjen e sigurisë energjetike me Serbinë dhe mënyrën se si Serbia mund të ketë një rol të rëndësishëm në këtë rrafsh në Evropë".
Kompania "GazProm" ka shfrytëzuar konfuzionin brenda Bashkimit Evropian, duke arritur marrëveshje me Italinë, Bullgarinë, Hungarinë dhe tani Serbinë, në kuadër të strategjisë për të konsoliduar praninë e vet në Evropën Juglindore. Sipas marrëveshjes, e cila pritet të nënshkruhet edhe formalisht këtë të premte në Moskë, "GazPromi" ka ofruar të paguajë 600 milionë dollarë për aksionet e kompanisë shtetërore serbe dhe një investim prej 725 milionë dollarësh për modernizimin e infrastrukturës energjetike, me zotimet se do ta shndërrojë Serbinë në epiqendër të energjisë ruse. Marrëveshja e arritur korrespondon me zgjedhjet presidenciale në Serbi dhe analistët thonë se duke marrë parasysh kontekstin politik, të dyja zhvillimet janë të ndërlidhura mes vete. Në këtë kuadër, një ekspert në Bashkimin Evropian ka thënë se, "nëse një kandidat pro-perëndimor fiton zgjedhjet, atëherë marrëveshja me Rusinë mund të mos nënshkruhet, prandaj edhe kabineti qeveritar ka shfrytëzuar rastin dhe është ngutur ta nënshkruajë atë".
Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, synon krijimin e marrëdhënieve më të fuqishme me Rusinë, aleaten e Serbisë në konfliktin mbi Kosovën. Anëtarët e tjerë të kabinetit e kanë hedhur poshtë ofertën e "GazPromit" si të pavolitshme, por kabineti megjithatë vendosi ta mbështesë marrëveshjen, duke shpresuar se zoti Koshtunica do ta përkrahë kandidaturën presidenciale të Boris Tadiçit, në rrethin e dytë të zgjedhjeve më 3 shkurt.
*Komenti është një përmbledhje e dy analizave të botuara në gazetat prestigjioze, "New York Times" dhe "Financial Times". Titulli është i redaksisë. Titulli në origjinal: "Marrëveshja energjetike Beograd-Moskë, goditje Bashkimit Europian".