"Drejtësia shtëpiake"
Besoj se nuk është e tepërt, që problemin e barazisë gjinore në Shqipëri ta shikojmë edhe nga këndshikimi i barazisë gjinore në shtëpi, në familjen tonë, apo i përpjekjeve që duhet të bëjë shoqëria, por dhe vetë gratë, për të vendosur "drejtësinë shtëpiake". Kjo kërkon që të bëhemi të sinqertë më veten dhe me gratë tona, duke i treguar hapur realitet e pabarazisë gjinore dhe të mungesës skandaloze të drejtësisë shtëpiake në familjen tonë. Shtëpia është vendi ku me siguri pabarazia dhe mungesa e drejtësisë gjinore dhe sociale, shfaqet më hapur se kudo. Shtëpia shqiptare përgjithësisht, sipas mendimit tim, është ambienti më i pastër ku shfaqen më dukshëm raportet e deformuara të "kostos dhe përfitimit" midis burrave dhe grave, ose më saktë, femrave dhe meshkujve. Personalisht, pajtohem me mendimin e sociologëve, qoftë edhe feministë, të cilët janë të mendimit se pa "drejtësi shtëpiake" nuk ka drejtësi sociale, ose ajo ka për të qenë si gjithnjë, një "utopi gjinore". Në familjen shqiptare, jo vetëm sot, por historikisht, për shkak të karakterit të saj thelbësisht patriarkal dhe konservator, femrës i ka rënë roli, përgjegjësia dhe detyra më e vështirë. Në një farë mënyre, femra ka qenë nën pushtetin dhe mëshirën e mashkullit, nën peshën e pafund të punëve të riciklueshme të shtëpisë. Është e vështirë të pretendohet se në familjen shqiptare ka "drejtësi shtëpiake", një ndarje të drejtë të punëve midis femrave dhe meshkujve.
Për fat të keq, shoqëria jonë ende udhëhiqet nga "normat" e një kulture të vjetër, që i konsideron të ndara, të fiksuara, rolet e femrave dhe të meshkujve në shtëpi. Edhe sot, është rezistente ideja se femrat janë të destinuara të përgjigjen për mirëmbajtjen e shtëpisë, ndërsa burrat për sigurimin e të ardhurave të familjes. Madje edhe kur gratë janë në punë shtetërore apo private, përsëri punët e shtëpisë janë prioritet për të. Natyrisht kjo kulturë e kthyer në normë, pavarësisht se pranohet nga gratë shqiptare, është një atavizëm i së kaluarës, që së paku duhet filluar të kundërshtohet nga shoqëria. Natyrisht, nuk mendoj se ndarja e punëve të shtëpisë dhe vendosja e drejtësisë shtëpiake, është një operacion që bëhet me thikë, në mënyrë të barabartë. Drejtësia shtëpiake nuk është drejtësi aritmetikore e ndarjes numerikisht të barabartë të punëve midis burrit dhe gruas, midis mashkullit dhe femrës. Shoqëria moderne, edhe në këtë betejë po përpiqet të progresojë në mënyrë inkrementaliste, hap pas hapi. Së pari dhe mbi të gjitha, duhet të reformojmë "modelin kulturor" të familjes shqiptare për "vendin e femrës" në familje dhe në shtëpi. Ndërsa drejtësia shtëpiake është një proces që mund të realizohet duke "nxjerrë nga qarkullimi", mentalitetin maskilist që mban të ngulitur idenë e pabarazisë gjinore në punët e shtëpisë. Në kohën e sotme, ndarja gjinore e punëve të shtëpisë nuk bëhet as me forcë, detyrim dhe arrogancë gjinore. Kanë të drejtë sociologët modernë që mendojnë se drejtësia midis burrit dhe gruas në shtëpinë e tyre, mund të vendoset me arsye dhe fleksibilitet gjinor në jetën familjare. Familje moderne është ajo që "punët e shtëpisë" i ndan me marrëveshje, është ajo në të cilën burri dhe gruaja zgjedhin që të japin kontribut shtëpiak, në përputhje më "pëlqimet dhe aftësitë" e tyre. Kjo është ajo që i kërkohet familjes shqiptare për të reflektuar…