E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Formacioni? S’kam ndërhyrje”Kuzhe: Në Talin, fillim i ri

TIRANE- Trajneri i kombëtares shqiptare Josip Kuzhe është shprehur i kënaqur me miqësoren në Estoni, që sipas tij shërbeu për të rikthyer atmosferën e mirë dhe besimin te futbollistët. Duke folur në një konferencë për shtyp pas kthimit nga Talini, kroati rrëfeu gjendjen aktuale të skuadrës, ndërsa bëri të ditur edhe planet për të ardhmen. “Ky ishte një fillim i ri, pasi ishte ndeshja e parë pas eleminatoreve dhe ne sigurisht që kishim disa objektiva. I pari është ai që gjithnjë duhet të marrim rezultat, të përcaktojmë mënyrën ton të lojës dhe krijojmë një atmosferë të mirë. Pas asaj humbje 4-1 me Suedinë, gjëja e parë që unë kërkoja ishte të kishim një organizim të mirë në mbrojtje. Dhe këtë e thashë edhe pas ndeshjes në Estoni se me mbrojtjen isha i kënaqur. Ju donit të kisha provuar më shumë lojtarë të rinj, por pa futbollistë si Skela, Duro apo Cana, ne e kemi të pamundur të luajmë. Dhe pas këtij barazimi, unë pashë një gjendje më të mirë te skuadra”, tha kroati. I pyetur nëse i ndërhyhet në formacion, ai u shpreh se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. “Do të isha i sëmurë nëse do të mendoja se futbolli shqiptar fillon me ardhjen time këtu. Unë nuk e di çfarë ka ndodhur në të shkuarën, por ne duhet të respektojmë historinë. Për momentin, as nuk dua ta komentoj pyetjen nëse mua më ndërhyjnë në formacion apo jo”, u shpreh tekniku kuqezi. Në lidhje me të rinjtë që u aktivizuan në Talin, Kuzhe vlerësoi sidomos Elis Bakajn, që sipas tij është një lojtar i gatshëm për të luajtur edhe titullar. Në lidhje me sulmuesit që do të jenë në të ardhmen në kombëtare, Berisha duket ai që ka më pak shanse.
“Në këto momemnte Shqipëria ka një potencial të madh sulmues për të ardhmen, duke nisur nga Bala, Roshi, Cikalleshi Januzi apo Shkurtaj, por për momentin sulmuesit e kombëtares janë Bogdani, Salihi dhe Kapllani. Po kështu më pëlqejnë edhe sulmues i Bakaj apo Hyka, që mund të luajnë në krah. Unë e respektoj çfarë ka bërë Berisha për kombëtaren, por për në Estoni bëra disa zgjedhje dhe kaq.”, u shpreh ai. Kuzhe u përgjigj me diplomaci në lidhje me prezencën në portë të Isli Hidit, autor i disa gabimeve në prapavijë, duke thënë se Beqaj do të jetë portieri kryesor dhe pas tij Ujkani.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›