E Diel, 1 Nëntor 2026

Marreveshja me Serbine seance debati ne kuvendin e Kosoves

Kuvendi i Kosovës mblidhet këtë të enjte në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për marrëveshjet e firmosura mes Kosovës dhe Serbisë. Opozita do të kërkojë që për marrëveshjet e arritura të vendosë Kuvendi i Kosovës dhe jo qeveria, ndërsa i konsideron të papranueshme dhe të pazbatueshme marrëveshjet e arritura.

Vendimi për seancë u mor nga Kryesia e Kuvendit pas mbledhjes së 40 firmave të deputetëve të partive opozitare, të cilët janë bashkuar për të kundërshtuar bisedimet me Serbinë, të cilat do të vazhdojnë me marrëveshje të reje. Debati pritet të përcillet me tensione të mëdha pasi për herë të parë opozita kundërshton në bllok bisedimet me Serbinë dhe marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ismet Beqiri, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së tha këto marrëveshje paraqesin shkelje të sovranitetit të Kosovës.

“Të ashtuquajturat konkluza përmbajnë në vete elementë të cilat e devalvojnë, rrezikojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Me letërnjoftim, që është njëra ndër pikat e marrëveshjes, qarkullohet vetëm brenda një shteti, pra ne nuk jemi pjesë e Serbisë. Po ashtu targat, rikthimi në targat e KS, është një mashtrim i radhës, është një devalvimi i vendimit të qeverisë së Kosovës”-tha ai.

Partitë opozitare janë ankuar për anashkalimin e Kuvendit, i cili sipas tyre nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar për rrjedhën e bisedimeve e as për marrëveshjet që vlerësojnë se cenojnë shtetasin e Kosovës. Tri marrëveshjet e para mes Kosovës dhe Serbisë janë arritur më 2 korrik dhe sanksionojnë cështje të tilla si lëvizja e lirë, çështjet e regjistrave civilë dhe pranimi reciprok i diplomave.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›