E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muaji i Ramazanit NATO do te vazhdoje bombardimet ne Libi

NATO do të vazhdojë bombardimet mbi Libi edhe gjatë muajit të Ramazanit, nëse kolonel Gadaffi deri atëherë do të vazhdojë të përbëjë rrezik për civilët. Gjithsesi, Aleanca thotë se do të kërkojë një zgjidhje realiste për konfliktin, sa më shpejt të jetë e mundur. Nga ana e saj, Franca, një nga kontribueset më të mëdha të fushatës ajrore të NATO-s në Libi, ka votuar në favor të shtrirjes së operacionit. Ndërsa, ministri i jashtëm francez, Alain Juppe thotë se çështja nuk është nëse Gadaffi do të largohet, por kur do të ndodhë një gjë e tillë.

Ndërkohë, zëdhënësja e NATO-s Oana Lungesku tha se organizata shpresonte që trupat e Gadaffit t’i japin fund sulmeve të tyre mbi civilët, jo vetëm gjatë Ramazanit, por menjëherë. Sipas saj, progresi i fushatës do të shqyrtohet në takimin e Grupit të Kontaktit për Libinë të premten në Stamboll. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmussen do të jetë i pranishëm në takim, së bashku me ministrat e jashtëm të fuqive perëndimore dhe qeverive arabe sikundër edhe liderët e opozitës së Libisë. “Rasmussen shpreson që takimi të dalë me ide realiste dhe pragmatike”, shtoi Lungesku.

Javën e kaluar, zëvendësministri i jashtëm libian, Khaled Kaim tha se pritej një zgjidhje para Ramazanit, deklaratë që u mbështet edhe nga ministri i jashtëm turk, Ahmet Davutoglu. Ndërsa ministri i jashtëm francez, Alain Juppe, sqaroi se negociata janë duke u zhvilluar vazhdimisht për t’i dhënë fund konfliktit, dhe disa emisarë thonë se lideri libian është gati të lërë pushtetin. Por, zgjidhja është ende një mister, katër muaj pas nisjes së bombardimeve.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›