Denoncimi ; Kandidatët e G99-s japin dorëheqje të vonuar nga “Mjafti”
“Zgjohu” prezantoi dje dokumentin skandaloz që vërteton në mënyrë përfundimtare se e gjithë loja e drejtuesve të G99-s ka qenë një lojë mashtrimi për të përdorur “Mjaftin” nga G99-a. Dje, kandidatët kryesorë të G99-s, Milva Ekonomi dhe Arbjan Mazniku, përkatësisht nr. 2 të listave të Durrësit dhe Tiranës, u mblodhën në cilësinë e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Qendrës, lëvizja “Mjaft” dhe morën vendim që të japin dorëheqje. Dje, Arbjan Mazniku vërtetoi se ka qenë bashkë me Milva Ekonomin, drejtuesit kryesorë të “Mjaftit” çdo ditë dhe çdo orë që nga dorëheqja mashtruese që dha bashkë me Veliajn, më 26 shtator 2007. “Ne, dy ditë më parë publikuam shkresat e plota që vërtetonin historinë e mashtrimit, por sot po ju paraqesim faksimilen ku vetë Mazniku pohon se si ka mashtruar prej 2 vjetësh bashkë me Erion Veliajn të gjithë komunitetin e donatorëve dhe se si kanë vazhduar drejtuesit e G99-s të kontrollojnë të gjitha financat e projekteve ndërkombëtare të dhëna për “Mjaftin” dhe sidomos llogaritë bankare (vetë Erion Veliaj deri në shkurt 2009 dhe më pas Arbjan Mazniku dhe Milva Ekonomi) në të njëjtën kohë që kanë mbledhur fonde gjoja nga aksionerët e G99-s!”, - tha Altin Goxhaj, kreu i lëvizjes “Zgjohu”. Më tej ai shtoi: “Shkresa e dorëheqjes pohon përfundimisht se sa është e kompromentuar lista e vëzhguesve të “Mjaftit”, duke shkelur hapur ligjin i cili përcakton qartë se një subjekt politik në koalicion (në këtë rast G99) mund të ketë vetëm një vëzhgues të koalicionit e për më tepër që G99-a, nëpërmjet Veliajt, Maznikut, Ekonomit, Spiropalit kanë dërguar një listë vëzhguesish në emër të maskës “Mjaft” me paratë e ambasadës së Shteteve te Bashkuara të Amerikës duke shkelur dhe mashtruar vetë Departamentin e Shtetit”. Duke marrë shkas nga kjo, lëvizja “Zgjohu” improvizoi përurimin e Rrugës së Pinokut "Politika e Re" në një lulishte të Parlamentit shqiptar me hyrje nga Rruga e Elbasanit (që simbolizon vendin ku ndodhej vila e “Mjaftit”) drejt e në derën kryesore të Parlamentit shqiptar.