Meta në Lezhë: Do e kthejmë në perlë të Adriatikut
Lideri i LSI-së, z. Ilir Meta, ka vijuar turin e takimeve për prezantimin e planit për veprim dhe kandidatëve për deputetë edhe në qarkun e Lezhës. Meta siguroi të gjithë të pranishmit se 28 qershori është dita që jo vetëm do të largojmë nga pushteti Sali Berishën, por 28 qershori është një ditë shumë e rëndësishme, sepse me votën e lezhjanëve, të mirditorëve, të kurbinasve, dhe të gjithë shqiptarëve, do të sjellim në pushtet një mazhorance të re progresiste dhe të majtë, suksesin e së cilës do e garantojë LSI si forca më koherente dhe më e qartë për të zgjidhur problemet më të mëdha që ka vendi, si forca e vetme që ka një program të qartë për të nxjerrë gjithë qarkun e Lezhës nga kriza ekonomike, si forca më e qartë që ka një program konkret për të punësuar 100 mijë shqiptarë. Meta u shpreh se “deri në vitin 2013 me Vitor Tushën kryetar bashkie dhe Ilir Metën Kryeministër, asnjë lezhjan nuk do të mbesë pa punë. Ne do ta kthejmë Lezhën në një perlë të Adriatikut tonë që të konkurrojë me dinjitet edhe perlat e Adriatikut në Itali”. Meta shtoi se “dua t’ju siguroj të gjithëve se më 29 qershor do të krijojmë mazhorancën e re parlamentare dhe unë do të insistoj se me të gjithë faktorët socialistë dhe progresistë, për të krijuar këtë qeveri, që të fusim Shqipërinë në BE me program dhe jo me fjalë”.