E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, Kandidatët: Sfida, jo konfirmim i mandatit, por fitore e thellë



Kandidatët e PD-së në 12 qarqet e vendit kanë një synim të qartë, jo vetëm konfirmimin e mandatit qeverisës, por arritjen e një fitoreje të thellë në zgjedhjet e 28 qershorit. Dy prej kandidatëve demokratë që janë dhe pjesë e kabinetit qeveritar, ministrat Sokol Olldashi dhe Gazmend Oketa, kanë bindjen e plotë se programi ambicioz i PD-së është rruga drejt fitores, gjithnjë e mbështetur në arritjet e qeverisë përgjatë këtij mandati që po lëmë pas. Pikërisht, këto mesazhe po përcjellin kandidatët demokratë jo vetëm tek elektorati i djathtë, por edhe tek zgjedhësit e majtë që, gjithsesi, duan t’i bashkëngjiten ndryshimit që nisi më 3 korrik 2005. Ministri i mbrojtjes, Gazmend Oketa, që konkurron në qarkun e Durrësit, gjatë takimit elektoral në lagjen nr. 5 të këtij qyteti, kërkoi nga votuesit që të vazhdojnë të besojnë PD-në ashtu siç i besuan asaj Shqipërinë në vitin 2005, sepse në këtA 4 vjet qeverisja demokratike i është përkushtuar ndryshimit rrënjësor të vendit. Sipas Oketës, kabineti qeverisës e quan “sfidën e ndryshimit” si një fat të mirë. Ka qenë një punë shumë e madhe, pasi ky kabinet ka ndërmarrë reforma shumë të thella në Shqipëri. Duke u ndalur tek arritjet e qeverisë, Oketa vuri në dukje se sistemi fiskal me taksa të ulëta mundësoi hapjen e më shumë vendeve të punës dhe nëpërmjet taksave të ulëta u rritën të ardhurat në buxhet dhe u bë e mundur rritja e pagave e pensioneve. “Edhe pse kundërshtarët tanë politikë deklarojnë se korrupsioni nuk është luftuar, fakti që buxheti i shtetit është dyfishuar, fakti që investimet janë shumëfishuar në infrastrukturë, shkolla, shëndetësi, bujqësi, tregon qartë se lufta kundër korrupsionit ka qenë efikase”, - deklaroi z. Gazmend Oketa. Ministri i Mbrojtjes vlerësoi arritjen historike të qeverisë, ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Sipas tij, kjo rrugë nuk lidh thjesht Shqipërinë me Kosovën,që i sjell turizmit në Durrës shumë përfitime, por do të sjellë dhe rreth 60 milionë euro të ardhura në vit, një rrugë që do t’i japë frymëmarrje sistemimit të të gjithë zonës ku ajo kalon”. “Këto zgjedhje nuk i shoh si një sfidë vetëm të Gazmend Oketës apo edhe të 13 deputetëve të qarkut të Durrësit, por si një sfidë të përbashkët për të rikonfirmuar qeverisjen aktuale dhe për të bërë të mundur realizimin e ëndrrës së shqiptarëve ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’”- deklaroi z. Gazmend Oketa. Nga ana tjetër edhe ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, kandidat në qarkun e Fierit, z. Sokol Olldashi, garanton qytetarët e zonës se arritjet e gjithanshme nuk do të ndalen dhe se deviza e PD-së është “Përpara dhe shumë shpejt”. Gjatë një takimi elektoral me banorët e fshatit Topojë, Olldashi pohoi: “Ju meritoni shumë më tepër nga ç’kemi bërë dhe të jeni të bindur se ritmet tona të zhvillimit do të jenë shumë më të shpejta, me investime 2-4 herë më të larta". Deputeti i PD-së prezantoi programin e qeverisë për mandatin e dytë, ku përfshihen investimet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi, industri, agrobiznes dhe në çdo sektor të jetës.

"Ne duhet të marrim përsipër dhe të vazhdojmë ndryshimin e madh për ta bërë Shqipërinë evropiane. Pavarësisht bindjeve politike, qëllimi ynë i përbashkët është të ecim sa më shpejt përpara, të thellojmë fitoret dhe realizimet e qeverisjes 4-vjeçare, të shkojmë sa më shpejtë drejt familjes evropiane, duke kapur standardet e saj. Punët që kemi nisur, t'i përshpejtojmë dhe thellojmë. Brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës ju dhe çdo shqiptar do të lëvizë i lirë në botën e lirë", - u shpreh Olldashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›