E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kartat, aplikojnë afro 1 milion e gjysmë shtetas



Me afrimin e skadimit të afatit ligjor, Ministria e Punëve të Brendshme njofton se numri i aplikantëve për kartat e identitetit ka kaluar mbi një milion e 300 mijë persona. Por edhe pas shifrave të kënaqshme, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, u bëri apel shqiptarëve që të vazhdojnë procesin e aplikimit deri në pajisjen me dokumentin e identifikimit elektronik. Ai bëri dje thirrje për tërheqje të kartave. “Numri i aplikantëve ka arritur në 1 milion e 366 mijë persona. Ministria e Brendshme përfiton nga rasti që edhe në këtë moment të kënaqshëm të kërkojë vëmendjen e qytetarëve për të vazhduar procesin e aplikimit dhe për të tërhequr kartat”, - deklaroi z. Poni. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme njoftoi për ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve duke publikuar dhe shifra të tij. Bazuar në informacionin e marrë deri me datë 9 qershor 2009, informacioni për procesin e aplikimit për letërnjoftime elektronike është: Numri total i aplikimeve, 1.306.842. Numri i i aplikimeve me 09.06.2009, është 15.481. Numri i letërnjoftimeve të prodhuara, është 1.187.378, numri total i letërnjoftimeve të shpërndara pranë zyrave të gjendjeve civile është 1.160.844 dhe numri total i letërnjoftimeve te tërhequra nga qytetarët është rreth 850 mijë shtetas. Kurse numri total i letërnjoftimeve të tërhequra me 09.06.2009 sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka arritur shifrën e 23.086 shtetasve. Ministria e Brendshme bën të ditur se kompania “Aleat” ka të gjitha këto kapacitete dhe mundësi maksimale për t’u ofruar shqiptarëve sasinë e duhur të dokumentit të identitetit, duke apeluar se të gjithë ata që nuk e kanë një pasaportë, duhet të paraqiten sa më parë në zyrat e aplikimit.

Gjithashtu, të gjithë ata qytetarë që kanë aplikuar për letërnjoftimin deri më datën 24 maj 2009, të paraqiten për ta tërhequr atë. Ministria e Brendshme bëri të ditur: “Ne i kemi të gjitha mundësitë që çdo qytetar që paraqitet për të aplikuar apo për të tërhequr kartën, ta ketë atë në disponim përpara ditës së zgjedhjeve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›