E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Orikum: Vlorën s’e përçajnë dot një grusht njerëzish



Qeveria e djathtë nuk do të lejojë që një grusht i vogël njerëzisht të përçajë Vlorën dhe vlonjatët. Këtë siguri përcolli dje në takimin elektoral me banorët e Orikumit kryetari i PD-së dhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, para të cilëve premtoi një turizëm të paimagjinueshëm, pasi në vitin 2013 ky qark do të presë 2.7 milionë turistë. Por që do të hidhen edhe bazat e infrastrukturës së rëndësishme malore drejt Tomorit, Çajupit, Alpeve të Shqipërisë dhe drejt Lurës. Kundrejt kësaj, Berisha vuri në dukje se dashakeqësit e “Shqipërisë që po ndryshon” dhe “Vlorës evropiane” nuk do të mund të mbjellin përçarje dhe urrejtje mes vlonjatëve. Sipas Berishës, një përçarje të tillë e duan shpifësit dhe trilluesit, zemërthyerit që shohin çdo ditë se Vlora ka ndryshuar dhe më 29 qershor do të gdhihet e tëra blu. Berisha përmendi para banorëve të shumtë të Orikumit se qeveria e tij gjatë këtij mandati 5-vjeçar ka investuar vetëm në Vlorë 500 milionë euro. Me premtimin se investimet do të dyfishohen gjatë mandatit të ri, z. Berisha garantoi se vlonjatët do të dinë t’u japin përgjigjen e merituar përmes votës djathtës intrigantëve dhe atyre që u pozicionuan kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Në Qarkun e Vlorës, një grusht i vogël përpiqet me çdo kusht të mbjellë përçarje, të shpifë dhe të trillojë. Shqiptarët thonë ata, mendojnë se “fluturoi, fluturoi”, por ata që shprehen në këtë mënyrë fluturojnë, se shqiptarët janë tokësorë”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri zbardhi disa nga projektet kryesore përgjatë 4 viteve që vijnë, ndërsa u ndal tek ato që kanë të bëjnë me të ardhmen e vlonjatëve dhe qytetin e tyre. Berisha vuri në dukje se: “Me ne erdhi turizmi”. “Shqipëria evropiane, Shqipëria turistike”, - kjo është motoja jonë. Berisha premtoi se gjatë mandatit të ri, çdo rrugë, rrugicë, fshat, i këtij bregu do të asfaltohet, do të urbanizohet me të gjitha standardet evropiane. Berisha informoi se nëse Shqipëria, në vitin 2004 priti 300 mijë vizitorë, vitin që kaloi vetëm Saranda priti 300 mijë vizitorë, në qoftë se në vitin 2008 Shqipëria priti 2.7 milionë turistë, në vitin 2013 vetëm Qarku i Vlorës do të presë 2.7 milionë turistë. “Ky është qëndrimi ynë, sikundër katër vitet që vijnë ne do të hedhim bazat e një turizmi tjetër shumë të rëndësishëm, turizmit malor. Do të shtrijmë infrastrukturën drejt Tomorit, Çajupit, Alpeve të Shqipërisë, drejt Lurës. Ky vend ka një potencial të paimagjinueshëm turistik. Zvicra është bërë e famshme për malet e saj, Shqipëria do të bëhet e famshme për malet dhe brigjet e saj. Po vëllezër, na e ka dhuruar zoti dhe le të nxjerrim prej tyre të gjithë të mirat që na takojnë. Në emër të fëmijëve tanë, por dhe në emër të brezave që nuk i nxorën dot, për shkaqe që dihen, ne do ta bëjmë Shqipërinë turistike, vendin më të preferuar, në rajon dhe më gjerë, për turistët nga e mbarë bota”, - u shpreh z. Berisha. Kreu i qeverisë foli dhe për projektin e ullirit teksa pohoi se “fermerë të Orikumit, Dukatit, Tragjasit, Radhimës dhe fshatrave përreth, ju keni meritën e madhe, sepse keni identifikuar rreth 3000 ha tokë për ullishte”. Para tyre ai premtoi subvencionim tërësisht për mbjelljen e 3 mijë ha ullishte në këtë vend.

Mandati i ri, “Javën e parë votojmë ligjin e pronësisë”

Kryeministri Sali Berisha premtoi dje në Orikum se javën e parë të mandatit të dytë qeverisës, e djathta do të votojë ligjin e pronësisë. Përmes tij, vuri në dukje ai, do të marrë zgjidhje çështja delikate e tokës në pronësi. Berisha tregoi arsyet se pse u vonua ky ligj, ndërsa akuzoi palë të interesuara në politikë për ta bllokuar atë. “Disa qytetarëve, të cilët janë zemërthyer sepse nuk kanë marrë tokën në pronësi, dua t’u them se unë fjalë nuk lë pa mbajtur. E kam bërë dekretin në vitin 1996, dikush ka bërë një vepër të papërgjegjshme me dekretin, e bëra prapë ligjin, sërish u gjetën tre vetë, që me shprehjen popullore, ta dridhnin në Parlament. Sot, unë ju jap fjalën se në javën e parë të mandatit të dytë, ai ligj do të votohet në Parlament. Unë nuk lëviz nga fjala ime, sepse atyre u takon. Dhe unë kam bindje të thellë, nuk mund t’i lëmë ata. Ata janë qytetarë të këtij vendi dhe kanë të drejtë të kenë siguri për jetën e tyre, shtëpitë e tyre, familjet e tyre”, - u shpreh z. Berisha.

Vlorë, Berisha përuron rrugën Transballkanike

Vlora tashmë ka rrugën Transballkanike me një gjatësi me një gjatësi 2.5 km, dhe vlerë 725 milionë lekë, të cilën e përuroi paraditen e djeshme Kryeministri Sali Berisha. Ai e vlerësoi rrugën, një arterie jetike për Vlorën, pasi e mbron qytetin nga qarkullimi i mjeteve të rënda, që kushtëzohet nga porti. Kryeministri u shpreh se rruga është ndërtuar sipas të gjitha parametrave moderne, bashkëkohore, duke e bërë atë të lakmueshme për çdo metropol. “Është një eveniment jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetin e Vlorës, një autostradë ndër më të gjerat në Shqipëri, në mos më e gjera në vend. Rruga është e gjatë 2,5 km, por është një arterie jetike për qytetin e Vlorë, pasi e mbron qytetin nga i gjithë transporti i rëndë që diktohet nga porti. Kjo rrugë ka dy aspekte, socialistët e premtuan, prenë shirita dhe mashtruan, ndërsa ne e premtuam dhe e ndërtuam. Unë kam besim të madh se çdo qytetar i Vlorës di të bëjë dallimin, nën kthjelltësinë e diellit. Vlora ta gëzojë këtë bulevard të mrekullueshëm, të cilit i është lënë në mes edhe traseja për ujësjellësin. Bulevardi i jep Vlorës një nga aspektet më madhështore të saj”, - tha z.Berisha. Ai premtoi se katër vitet që vijnë, janë vitet e zhvillimit të fuqishëm, janë vitet e zhvillimit më të fuqishëm të Vlorës, ndoshta më të fuqishëm se të çdo qyteti tjetër në Shqipëri, në brigjet e deteve, sepse këtu nis porti gjigand.

Qeveria, 1.2 milionë dollarë për unazën e re të Orikumit

Gjatë vizitës në qytetin e Vlorës, Kryeministri Berisha përuroi dje unazën e re të Orikumit, investim me vlerë 1, 2 milionë dollarë. Duke e cilësuar Orikumin një bizhu në brigjet e Shqipërisë, Kryeministri u shpreh se tashmë Orikumi po kthehet në identitet. “Ky është Orikumi që po ndërtojmë, Orikumi një bizhu e vërtetë në brigjet e Shqipërisë, i cili po kthehet në identitet, një qendër e fuqishme evropiane. I tillë ka qenë që në kohëra dhe i tillë po bëhet”. Më pas, Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Balill Prelari” së bashku me shtesën e re të shkollës, investim me vlerë 43 milionë lekë.

Berisha, socialistëve: Bashkohuni me ne

Që nga Orikumi, Kryeministri Sali Berisha u bëri dje thirrje socialistëve që të tregohen në lartësinë e duhur dhe t’i bashkëngjiten udhëtimit drejt Evropës. Berisha u kujtoi atyre se kjo është ëndrra më e bukur e të gjithë shqiptarëve, ndaj jo ndarja, por bashkimi i bën ata anëtarë të denjë të familjes evropiane. “U bëj thirrje socialistëve të Orikumit, Vlorës dhe mbarë Shqipërisë; Historia është histori dhe në momente historike, si qytetarë, nga ne kërkohet që të jemi në lartësinë e saj. Ky është moment në të cilin ne firmosim për projektin e Orikumit evropian dhe të Shqipërisë evropiane, nuk duhet të ndahemi, të bashkohemi në këtë udhëtim se kjo është ëndrra e me bukur e shqiptarëve, e fëmijëve tanë. Le të ecim ne, besimin duhet ta vendosni aty, ku ai justifikohet”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri shtoi se: “Jemi ne që e bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s, jemi ne, të cilët bëmë që Shqipëria të dalë në krye të rritjes ekonomike në Evropë. Jemi ne që bëmë të pranohet aplikimi për vend anëtar në Bashkimin Evropian”. Berisha bëri të qartë se reformat e suksesshme bënë që Shqipërinë ta duan miqtë e saj në mbarë botën dhe ta ndihmojnë për projektin të së ardhmes së Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›