Marrëveshja, projektet mbi 100 milionë lekë me oponencë teknike
Çdo projekt ndërtimi, që do të kalojë vlerën e 100 mln lekëve, do të ketë oponencën e Institutit të Ndërtimit. Gjithashtu, Policia Ndërtimore do të kalojë në varësinë e inspektoratit Ndërtimor, për një kontroll në fushën e ndërtimit. Kjo parashikohet në marrëveshjen e bashkëpunimit, të nënshkruar ndërmjet inspektoratit Ndërtimor Urbanistik dhe institutit të Ndërtimit për rritjen dhe përmirësimin e cilësisë në fushën e ndërtimit. Duke iu referuar rëndësisë që cilësia e ndërtimit ka në sigurinë dhe cilësinë e jetës, Ministria Punëve Publike dhe Transportit në bazë të vendimit Nr 1055, datë 22.12.2010, vendosi që instituti i Ndërtimit të bëjë oponencën e çdo projekti ndërtimi, me vlerë mbi 100 milion lekë, si dhe kalimin e Policisë Ndërtimore në inspektoratin Ndërtimor, për të mundësuar një kontroll profesional në fushën e ndërtimit.
Në këtë mënyrë, këto dy institucione nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon një kontroll profesional të të gjitha hallkave të realizimit të një vepre ndërtimi, që nga projekti deri në përfundim të saj. Instituti i ndërtimit në bazë të kësaj marrëveshje i ofron ndihmën e tij teknike inspektoratit të Ndërtimit, duke kryer testet laboratorike të akredituar, interpretimin e testeve të produkteve të ndërtimit, si dhe asistencën për ngritjen e kontrollit në fabrikë.