Matura, dalin datat e provimeve
Më 24 maj, maturantët do t’u thonë “lamtumirë” bankave të shkollës së mesme, për të nisur përgatitjet për katër provimet e Maturës, me rezultatet e të cilave ata do të futen për konkurrim në garën e pranimeve në universitete. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka vendosur datat e zhvillimit të provimeve të Lirimit dhe të Maturës. Nëpërmjet dy udhëzimeve të posaçme, njëri për provimet e Lirimit dhe tjetri për të Maturës, kreu i Arsimit ka përcaktuar datat e mbajtjes së tyre, si dhe masat që duhet të merren për këtë proces. Kështu, sipas udhëzimit të ministrit Tafaj, provimit të parë me detyrim të Maturës, Gjuhë shqipe dhe Letërsi, maturantët do t’i nënshtrohen ditën e parë të muajit qershor; Matematikës, më 15 qershor; ndërsa dy provimeve me zgjedhje, që zhvillohen në të njëjtën ditë, do të mbahen më 30 qershor. Krahasuar me Maturën 2010, datat e zhvillimit të provimeve nuk kanë pësuar asnjë ndryshim, po ashtu edhe koha që maturantët do të kenë në dispozicion për t’u përgatitur, që përsëri do të jetë dy javë midis dy provimesh. Ndërkaq, është përcaktuar edhe periudha e zhvillimit të provimeve përfundimtare në shkollat profesionale 3-vjeçare dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare, që do të jetë 26-30 maj 2011. Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore për disa kategori shkollash të mesme janë: në shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin: Gjuha dhe Letërsia greke, 28 maj 2011; në seksionet dygjuhëshe: Gjuhë e huaj, 28 maj 2011; në shkollat e mesme artistike dhe sportive: formimi teorik-praktik profesional, 26 maj 2011; në shkollat e mesme teknike-ekonomike dhe teknike-profesionale 5-vjeçare dhe 3+2-vjeçare: formimi teorik-praktik profesional, 26 maj 2011. Lista e lëndëve të provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2011 janë: a) Fizikë; b) Kimi; c) Biologji; d) Histori; e) Gjeografi; f) Njohuri për shoqërinë; g) Njohuri për ekonominë dhe Filozofi; h) Gjuhë angleze; i) Gjuhë frënge; j) Gjuhë italiane; k) Gjuhë gjermane; l) Gjuhë spanjolle; m) Histori muzike; n) Harmoni; p) Histori arti; q) Anatomi; r) Histori baleti. Në udhëzimin e ministrit Tafaj saktësohet se për provimet me zgjedhje maturantët/kandidatët e shkollave artistike dhe koreografike, mund të zgjedhin vetëm një nga lëndët e listuara në pikat m, n, p, q dhe r. Zgjedhja tjetër të bëhet nga pikat a deri l, të listës së lëndëve me zgjedhje. Të gjithë maturantët/kandidatët kanë të drejtë të zgjedhin vetëm një nga gjuhët e huaja të listës së provimeve me zgjedhje. Ndërsa provimet e Lirimit, për klasën IX, sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, do të zhvillohen në datën 17 qershor Gjuha shqipe dhe 23 qershor Matematika. Për nxënësit mbetës, datat e provimeve të Lirimit në sesionin e dytë janë: 26.08.2011 Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar dhe 29.08.2011 Matematikë.