E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje e Ohtrit në ‘arkivol’

Shkup - Asnjë material propagandues në gjuhën shqipe, asnjë fjalë e slogan shqip, asnjë takim në zonat shqiptare. Kjo është pasqyra që sa dy kandidatët për president nga radhët e komunitetit shumicë maqedonas, Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE dhe Lubomir Fërçkovski nga LSDM-ja kanë kujdesin e tyre për Marrëveshjen e Ohrit, e cila vazhdon të jetë e parealizuar
Dy kandidatët presidencial Gjorgje Ivanov dhe Lubomir Fërçkovski që janë në garë në raundin e dytë të zgjedhjeve për të marrë kreun e shtetit, në fushatën e tyre po anashkalojnë thuajse në mënyrë të përgjithshme Marrëveshjen e Ohrit, ndikimet që ka ajo jo vetëm për komunitetin shqiptarë që është shumicë bashkë me atë maqedonas, por edhe për gjithë qytetarët tjerë.

A po i vendoset gozhda e fundit e “arkivolit” brenda së cilës është e vendosur marrëveshja e Ohrit e cila edhe në kuptimin deklarativ ka filluar të zbehet? Edhe në retorikën e saj ka plot kundërthënie dhe paqartësi.

Mbyllja e rasteve të Hagës që mund të shkaktojnë tendosje të gjendjes së sigurisë, mosmiratimi i ligjit për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, sanimi i krizës ekonomike sidomos në zonat e varfra shqiptare rurale dhe çështje të tjera janë plotësisht të anashkaluara nga ana e dy kandidatëve për president, të cilët kanë hyrë në raundin e dytë, me synime të përgjithësuara dhe pa objektiva të qarta, sa i përket kërkesës për votën e shqiptarëve.

Zëdhënësi i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Sheval Memishi ka deklaruar se Marrëveshja e Ohrit gati se totalisht anashkalohet dhe duket se ata pretendojnë që ajo t’a humb rëndësinë e vet që ka pasur.

I pyetur se kjo shmangie vjen ndoshta se ata kanë frikë se mos humbin pjesë të elektoratit të tyre duke folur mbi këtë Marrëveshje, Memishi tha se gjithsesi se është kjo, por ai e sheh edhe një mënyrë tjetër këtë anashkalim.

”Fajin qëndron tek BDI e cila në mënyrë të vetëdijshme po zbeh dhe anashkalon Marrëveshjen e Ohrit, duke nxjerrë në pah marrëveshje fantome dhe të parealizuara siç ishte ajo e marsit, ndërsa së fundi një marrëveshje skandaloze për president në vitin 2014.

Kjo parti në mënyrë të vetëdijesuar po e humb relevancën e Marrëveshjes së Ohrit dhe po hyn në skenarë të dëmshme”, ka theksuar zëdhënësi i PDSH-së, duke shtuar se Marrëveshja e Ohrit duhet të jetë objektiv i palëkundur edhe përkundër degradimit që po i bëhet.

Nënkryetari i BDI-së, Rafiz Haliti thotë se kandidatët nuk po përmendin Marrëveshjen e Ohrit, sepse sipas tij ajo tashmë është pjesë e kushtetutës dhe është realizuar e inkorporuar në të.
“Me siguri ajo që nuk e kanë përmendur është që Marrëveshja e Ohrit tashmë është pjesë e Kushtetutës që do të thotë se duhet të implementohet dhe jo të flitet më për atë marrëveshje”, ka theksuar Haliti. Sipas tij, vetëm kandidatët për president janë ata që duhet të sqarojnë pozicionet e tyre lidhur me Marrëveshjen e Ohrit.

“Qëndrimet tona dihen dhe Marrëveshja e Ohrit duhet të implementohet në tërësi. Por presidenti i shtetit nuk ka kushedi çfarë kompetenca për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit“, ka theksuar Rafiz Haliti. tha Haliti. I pyetur se a mund të ketë ndikim presidenti sa i përket implementimit të kësaj marrëveshjeje në tërësi, nënkryetari i BDI-së tha se “unë mendoj se kryetarët e shtetit nuk kanë kushedi çfarë kompetencash që të bëjnë në atë drejtim.

Marrëveshja e Ohrit duhet të implmenentohet duke u nisur nga Parlamenti, Qeveria dhe të tjerë dhe përsëris që të pakta janë kompetencat e kryetarit të shtetit sa i përket implementimit të Marrëveshjes së Ohrit”. ina

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›