Marrëveshje për Januzajn

Manchester United dhe Anderlecht janë afër arritjes së marrëveshjes për transferimin definitiv në Angli të futbollistit shqiptar, Adnan Januzaj.
Sipas të përditshmes britanike, Daily Mail, ‘Djajtë e Kuq’ do t’i derdhin në arkën e klubit belg hiç më pak se 600 mijë funte për 16-vjeçarin, i cili konsiderohet talent i jashtëzakonshëm në Belgjikë, sa që krahasohet me yjet e futbollit të këtij vendi, Kompany e Lukaku.
Pra, menaxheri Sir Alex Ferguson pritet ta ketë në dispozicion mesfushorin Januzaj, i cili në Angli definohet si ‘Beckham i ri’, pasi që loja e tij ngjason me atë të mesfushorit të njohur anglez, David Beckham.
Januzaj pritet t’i bashkohet ekipit të të rinjve të Manchester Unitedit, ku do të zhvillohet, para se të kalojë në ekipin e parë. Gjithnjë sipas Daily Mailit, Januzaj pritet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me gjigantin anglez. Për shërbimet e Januzajt, interesim kishin shfaqur edhe ekipet si Aston Villa e Lille.