Marrëveshje për pensionet e emigrantëve në Itali
Shqipëria dhe Italia kanë nënshkruar dje një marrëveshje që lehtëson procedurat për pensionet e emigrantëve në Itali. Në bazë të kësaj marrëveshjeje të nënshkruar nga Instituti i sigurimeve Shoqërore dhe instituti analog italian INAS-CISL, të gjithë ata emigrantë që kanë vite pune të siguruara në vendin tonë dhe dëshirojnë të paguajnë vullnetarisht pjesën e mbetur për të dalë në pension, do të mund ta kryejnë këtë nëpërmjet bankës pa pasur nevojë të rikthehen në atdhe.
Gjithashtu, marrëveshja parashikon lehtësimin e procedurave edhe për informacionin e emigrantëve për legjislacionin shqiptar të pensionit si edhe për kontributet që ata kanë derdhur deri tani në arkën e ISSH-së. Ndërkohë, INAS do të mundësojë edhe informacione në SHBA, Kanada e vende të tjera ku ka zyra, në emër të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Përfitimet
Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar, të gjithë emigrantët në Itali do të mund të paguajnë kontributet shoqërore, në rast se dëshirojnë të plotësojnë vjetërinë për të dalë në pension nëpërmjet bankës “Intesa San Paolo” pa qenë e nevojshme të rikthehen në Shqipëri.
“Të gjithë ata që konsiderojnë si mundësi rindërtimin e periudhave të tyre kontributive në shtetin shqiptar me qëllim mbrojtjen sociale në rastet e pleqërisë, invaliditetit dhe humbjes së mbajtësit të familjes, nëpërmjet kësaj protokoll-marveshjeje u krijohet mundësia e marrjes së informacionit dhe futjes në skemë, direkt nga vendet ku jetojnë”, – bëri të ditur ISSH-ja, sipas së cilës pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga emigrantët do të bëhet pranë qendrave ku jetojnë dhe punojnë në sportelet e banka “Intesa San Paolo”.
Emigrantëve në Itali do t’u ofrohet falas informacion lidhur me legjislacionin shqiptar të sigurimeve shoqërore dhe të gjitha ndryshimet që i bëhen këtij legjislacioni në kohë reale, sikurse edhe do t`u krijohet mundësia që të mbledhin informacion për historikun e tyre kontributiv që ata kanë realizuar në Shqipëri, direkt nga vendet ku jetojnë, pa qenë e nevojshme që ata të shpenzojnë kohën dhe pushimet e tyre në Shqipëri për të mbledhur këtë informacion. “Për shembull në rastet kur nuk kanë pasur mundësi të tërheqin librezat e punës në qendrat e punës ku ata kanë punuar, u kanë humbur librezat, u ka humbur dokumentacioni personal”, – bën të ditur ISSH-ja.
Marrëveshja
Në fjalën e saj, drejtoresha e përgjithshme e ISSH-së, Evelina Koldashi, theksoi se “ne kemi rënë dakord për zgjerimin e marrëveshjes që ky protokoll të funksionojë në të gjitha degët që ka INAS-CISL edhe në Kanada, SHBA dhe të gjitha vendet evropiane, çka do t’u japë mundësinë e informimit edhe shqiptarëve që ndodhen në këto vende lidhur me historikun kontributiv dhe ndryshimet në legjislacionin e sigurimeve shoqërore.
Znj. Koldashi deklaroi se ISSH-ja është shumë afër arritjes së marrëveshjes “për të bërë të mundur që përmes marrëveshjes me bankën “Intesa San Paolo” të bëjmë të mundur transferimin e pensioneve për të gjithë pensionistët që dëshirojnë ta tërheqin atë në vendin ku jetojnë”.
Ndërsa presidenti i Patronatit INAS-CISL, Anttonino Sorgi, theksoi se është i bindur që një vit pas firmosjes së protokollit të bashkëpunimit, kemi të bëjmë me një bashkëpunim efektiv. “Ne kemi mbledhur shumë modele komunikimi gjatë përvojës tonë të asistencës me emigrantët dhe tashmë jemi në gjendje të ofrojmë modelin më të mirë edhe për emigrantët shqiptarë”, – deklaroi ai.
Sipas tij, shumë emigrantë kanë marrë tashmë asistencën nga pala italiane. “Ne dëshirojmë që përmes punës sonë ta shkurtojmë largësinë që kanë emigrantët me vendin e tyre. Pas këtyre hapave, qytetarët shqiptarë në Itali mund ta konsiderojnë INAS-in një institucion të integruar më Sigurimet Shoqërore në Shqipëri”, - theksoi Sorgi.