E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku ndërkombëtar i drogës, arrestohen tetë shqiptarë



Policia italiane ka arrestuar tetë shqiptarë, të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gjithashtu, sipas burimeve policore, në pranga kanë rënë edhe 17 shtetas italianë, të cilët ishin pjesë e organizatës mafioze. Sipas agjencisë italiane të informacionit ANSA, hetimet kanë filluar 8 muaj më parë. Në shtator të 2008-s, policia italiane arrestoi në portin e Barit shtetasit Ermal Aliaj, Ervin Dema, Erion Ruka, të tre nga Vlora dhe Arian Kërtusha nga Tirana. Droga u gjet e fshehur brenda makinave të shqiptarëve. Ata po lëviznin me dy automjete, një “Opel Corsa” që drejtohej nga Ermal Aliaj ku u gjet 11 kg heroinë, ndërsa 12 kilogramë heroinë u gjetën në makinën tjetër “Audi A3”, e cila drejtohej nga Erion Ruka. Dy të arrestuarit e tjerë, Arian Kërtusha dhe Ervin Dema, ishin furnizues të heroinës dhe më pas ata do ta shpërndanin në zona të ndryshme të Italisë.

Hetimet

Hetimet e prokurorisë në Bari nisën më 5 shtator të vitit të kaluar, kur u sekuestrua një sasi prej 23 kg heroinë e fshehur në dy makina. Sipas hetuesve në Itali, droga vinte nga Turqia. Më pas ajo transportohej në Greqi dhe më pas dërgohej drejt Italisë nëpërmjet portit të Durrësit. Nga hetimet e kryera ishin korrierë shqiptarë ata që merreshin me transportimin e drogës nga Greqia në Shqipëri e më pas në Itali. Në bandë ishte edhe një numër i madh italianësh, të cilët bashkëvepronin ndërmjet tyre. Prokuroria italiane lëshoi 25 fletë arreste, ku 17 prej të kërkuarve janë italianë dhe 8 shqiptarë. Sipas hetuesve, heroina mbërrinte në Puglia. Më pas ajo përgatitej për t’u shitur në krahina të ndryshme të shtetit italian, në veçanti në Emiglia Romagna dhe Salento. Trafikantët ishin të aftë që të menaxhonin paratë e fituara në mënyrë të paligjshme, duke i dërguar ato në Shqipëri në shuma të mëdha eurosh, nëpërmjet edhe emigrantëve të tjerë shqiptarë, të cilët kalonin tranzit nga Italia dhe udhëtonin drejt Shqipërisë. Të 25 personat e kërkuar akuzohen nga drejtësia italiane për kryerjen e veprës penale të trafikut ndërkombëtar të substancave narkotike.

Të arrestuarit

Pas përfundimit të hetimeve, karabinierët italianë kryen arrestimin e tetë shqiptarëve të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në prangat e policisë italiane ranë shtetasit Ervin Dëma, 27 vjeç; Ermal Aliaj, 26 vjeç; Erion Ruka, 29 vjeç që rrinte në Tavena, Arian Kërtusha, 44 vjeç; Benjamin Belaj, 33 vjeç, Arjan Drekaj, 31 vjeç; Orges Breshanaj, 23 vjeç dhe Klodian Nuhaj, 30 vjeç. Sipas policisë italiane, disa prej të arrestuarve qëndronin në Itali në qytete të ndryshme, ndërsa të tjerë ishin korrierë të drogës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›