E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregu i Durrësit, vatër infeksioni



Afrimi i temperaturave të larta çdo sezon veror, sjell edhe shqetësimin e qytetarëve lidhur me tregtimin e produkteve ushqimore, por edhe të krijimit të vatrave të rrezikshme të krijuara nga punimet e ndonjë firme private. Kështu transferimi i tregut të shumicës së fruta-perimeve disa vjet të shkuara nga Durrësi në ish-NISH tulla në Shkozet, shpëtoi hyrjen e qytetit nga ndotja e mjedisit. Ai është vendosur në ish-parkun e eksportit në një zonë periferike, por që tashmë është tejmbushur me shtëpi banimi.

Por banorët e kësaj zone tani në këtë sezon të nxehtë ankohen se tregtarët e shumicës dhe të pakicës për çdo mëngjes shkaktojnë ndotjen e mjedisit pasi mbeturinat e produkteve që tregtojnë nuk i grumbullojnë në vende të caktuara, por shpesh një pjesë të tyre e hedhin në kanalin e madh që kalon atje pranë. Në këto kushte ky kanal është bllokuar dhe është transformuar në një habitat për miza e mushkonja si dhe shpërndan një aromë të rëndë e cila thithet nga banorët. Ndërkohë, kontrolli i institucioneve të cilat kanë për detyrë të monitorojnë tregjet ushqimore këtë prag fushate elektorale ka rënë.

Ndërsa vetëm 50 m larg qendrës së Durrësit një gropë pallati është kthyer në shqetësim për banorët e zonës, por edhe të qytetit. Gropa ka dy vjet që është hapur dhe është mbushur me ujë të ndenjur. Atje kanë strehën e tyre bretkosat të cilat kuasin ditë e natë. Meqenëse nuk është dhënë leja e ndërtimit për të ngritur pallatin e parashikuar, gropa është transformuar në një moçal me ujë të ndenjur. Ajo u hap ende pa u zbardhur leja e ndërtimit të pallatit.

Bashkiakët përgjegjës patën deklaruar disa kohë më parë se gropa duhej kthyer në gjendjen e mëparshme, pra në një shesh me bar. Por nuk ka ngjarë aspak kështu. Vetëm pak ditë më parë qyteti i Durrësit u përfshi nga një ndotje e rëndë e ajrit. Shkak ishin mbetjet e stallave të komplekseve të gjësë së gjallë dhe shpezëve. Qytetarët e Durrësit prej ditësh apelojnë tek Drejtoria e Shëndetit Publik, e cila duhet të jetë më e përgjegjshme në kërkesat dhe shqetësimet e tyre.

Bregdet

Rishfaqen kandilat e detit në Durrës

Këtë fillim sezoni veror bregu i detit është sulmuar nga kandilat e detit, njëlloj si 4 vjet më parë. Ata që kanë nisur të frekuentojnë plazhin këto ditë të nxehtësisë së pazakontë me origjinë tropikale kanë konstatuar numrin e madh të kësaj specieje, e cila lëshon një lëng acid që kur prek trupat njerëzorë u shkakton atyre djegie. Në të gjithë gjatësinë e bregut të detit prania e tyre është me një dendësi të lartë përqendrimi. Specialistët e detit sqarojnë se prania e tyre lidhet me ushqimin e kësaj specie detare që tashti gjendet me shumicë në zonën bregdetare si dhe me ujin e pastër, pasi prania njerëzore është ende shumë e pakët. Ata theksojnë se djegia e kandilave të detit është krejtësisht e parrezikshme dhe kalon për 15 minuta. Megjithatë, pushuesit kanë një lloj fobie ndaj kësaj gjallese detare. Dy vjet të shkuara bregdeti u mbush me peshkun ranxh i cili shkakton vërtet dhimbje të forta, pasi ai është i pajisur me një gjemb helmues në kurrizin e tij. Ndaj këtij helmi ka antidotë mjekësorë, të cilët 2 vjet më parë u përdorën me shumicë. Ndërsa 4 vjet më parë plazhi i Durrësit u mësy nga kandilat e detit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›