E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshjet e fshehta dhe teknikat e pandershme në çmimin e naftës

Grosistet e naftës importojnë naftë me cilësi të dobët për konsumatorin shqiptar, sepse ajo importohet nga vendet e treta dhe jo nga shtetet prodhuese të OPECU-ut. Edhe pse shqiptarët përdorin naftë me cilësi më të ulët, fluksi i madh i automjeteve që përdorin këtë produkt ka inkurajuar kërkesën dhe si rrjedhoje i ka ngritur çmimet në nivele të papërballueshme për konsumatorin shqiptar. Sipas z. Rezart Taçi, president i firmës "Taçi Oil", një nga liderët e importuesve të naftës në Shqipëri, arsyeja kryesore e çmimit të lartë janë taksat fiskale dhe vetëm ulja e tyre do të bënte të mundur të pasqyronte ndonjë ulje të çmimit të naftës në pikat e distribucionit. Edhe pse në tregun ndërkombëtar çmimet janë ulur me më shumë se 40%, ndërkohë që në tregun tonë shihet vetëm një ulje prej vetëm 5-6%, z. Taçi këmbëngul që çmimet aktuale reflektojnë ato të tregjeve ndërkombëtare. Por ekspertët dhe institucionet nuk mendojnë plotësisht kështu dhe sidomos Autoriteti i Konkurrencës, që është në përfundim të hetimeve mbi shkeljet e konkurrencës në tregun e karburanteve.

Marrëveshje të fshehta

Gjithashtu, përveç Autoritetit të Konkurrencës që ka hapur investigimet për të hetuar nëse ekziston ndonjë lidhje e fshehtë midis grosistëve, opinioni publik ka akuzuar shpeshherë importuesit e karburanteve për çmime spekulative. Nga ana e tij, Rezart Taçi mohon kategorikisht ndonjë marrëveshje apo ndërlidhje ndërmjet firmave që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këtë sektor dhe ai i përgjigjet kësaj pyetjeje, duke shpjeguar thjesht dhe shkurt – "nuk është e mundur të ketë diskutime midis tregtarëve". Hetimet e thelluara të filluara prej kohësh nga anti-moponol (Autoriteti i Konkurrencës) pritet të bëhen publike së shpejti, ndonëse drejtues të këtij institucioni janë të rezervuar në dhënien e opinioneve, duke respektuar fshehtësinë e procesit hetimor. Fillimi i këtyre hetimeve presupozon dyshime të bazuara mbi ngritjen e çmimeve në treg nga ana e importuesve, ndarje të tregut të brendshëm ndërmjet tyre, si dhe bashkëpunim në caktimin e çmimit të tregtimit me shumicë të naftës, duke siguruar fitime të pamerituara në dëm të konsumatorëve. Me të njëjtin opinion bashkohet edhe z. Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike dhe ish-titullar i Autoritetit të Konkurrencës: "Formalisht (ligjërisht) tregu është i liberalizuar - në vendin tonë janë lëshuar rreth 40 licenca për importimin e karburanteve, por pesha në treg ndërmjet tyre flet për një numër më të vogël, të dominuar vetëm nga disa prej tyre”. Zef Preçi nuk prononcohet për ndonjë lidhje tjetër biznesi dhe pret që kjo anë të sqarohet nga organet përkatëse shtetërore, por ai shton se “natyrisht tregu vendas nuk ka hapësirë për të pranuar një numër kaq të madh importuesish. Në një aspekt tjetër, nëse do të ekzistonte një konkurrencë e pastër, në treg do të kishte një fleksibilitet më të madh të çmimeve të shitjes me pakicë të karburanteve, duke iu përgjigjur luhatjeve në bursat e huaja dhe mbi të gjitha do të kishim një proces intensiv të "metabolizmit" të firmave importuese dhe tregtuese. Kjo do të thotë që do të kishim një zbatim të procedurave ligjore të falimentimit të atyre firmave që nuk përballojnë dot konkurrencën, siç ndodh shpeshherë në ekonominë e tregut. Në rastin tonë ky proces do të evitonte shfaqjen e fenomenit të reflektimit të ndryshimeve të çmimeve në bursat e huaja vetëm në drejtimin e rritjes së tyre dhe asnjëherë në drejtimin e kundërt”. Gjithashtu, duke iu referuar fenomeneve të vëzhguara nga hetimet e deritanishme në tregun e karburanteve, disa burime jozyrtare nga Autoriteti i Konkurrencës, thonë se "mënyra e funksionimit të firmave importuese tregon se ato janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe mund të marrin vendime të njëjta si për zonat e tregut brenda vendit ku ato veprojnë ashtu edhe për çmimet e aplikuara në treg. Madje, për sa i përket çmimit në treg, këto firma përdorin edhe informacionin (mediat audio-vizuale) si mjet komunikimi për unifikimin e çmimeve të shitjes së tyre me pakicë".

Taktikat e pandershme

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave mësojmë se në përgjithësi, firmat shqiptare importojnë karburantet nga të njëjtat vende dhe kryesisht nga republikat e ish-Bashkimit Sovjetik (Ukraina, Gjeorgjia etj.). Gjithashtu, janë vërejtur edhe disa raste kur edhe pse nafta është blerë në një kohë kur çmimi ka qenë më i favorshëm, anijet-cisternë qëndrojnë në ujërat ndërkombëtare dhe ndjekin lëvizjet e çmimit për të pasur si referencë tarifa më të favorshme ndaj detyrimeve të tyre doganore. Ky mall kalon vetëm nëpër duart e disa firmave dhe çmimi mbetet përgjithësisht i lartë, edhe pse ai ulet në vendet prej nga është importuar apo në bursat perëndimore, mbi të cilat mbështeten referencat doganore të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Ekspertë të shoqatave të mbrojtjes së konsumatorëve pohojnë se përveç kartelizimit të mundshëm të tregut, për të cilin po heton aktualisht Autoriteti i Konkurrencës, arsye të tjera që nuk lejojnë uljen e çmimit të karburanteve janë: cilësia e dobët e naftës që kërkon një kosto të lartë përpunimi, evazioni fiskal apo fshehja e fitimeve nga tregtia e tyre me pakicë dhe paaftësia e institucioneve shtetërore, që nuk luajnë rolin e tyre në rregullimin e tregut. Nga ana e tij, z. Preçi vëren se "ndonëse janë rritur numerikisht stafet e institucioneve shtetërore që janë rregullatorë të tregjeve prapë vihen re paqartësi në bashkërendimin dhe ndarjen e detyrave ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe institucioneve të tjera vartëse te saj apo që varen nga Kuvendi". Ai shton se "mbikëqyrja e tregut paraqet dobësi të dukshme dhe mungon transparenca në vendim-marrjet e këtyre institucioneve. Vetëm duke bashkëpunuar me qytetarët-konsumatorë dhe duke qenë transparentë mund të shpresohet zbatimi më i mirë i ligjit dhe përmirësimi i funksionimit të tregut". Me sa duket, nga çmimi i lartë i naftës të vetmit që shohin një anë pozitive janë ambientalistët, sepse mospërdorimi i makinave në mënyrë masive do të bënte të mundur uljen e koeficientit të ndotjes së mjedisit

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›