E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon imazhi tradicional në Wall Street

Ekspertët flasin për një ristrukturim madhor tregjesh financiare në SHBA

Dy bankat më të mëdha amerikane të investimeve kanë ndryshuar statusin dhe kanë filluar të pranojnë depozita, në kuadër të asaj që po shihet si faza më e fundit e një ristrukturimi madhor të tregjeve financiare në Shtetet e Bashkuara. Kjo lëvizje u jep bankave Goldman Sachs dhe Morgan Stanley mundësinë për t'u ndihmuar nga banka qendrore, por e shton edhe mbikëqyrjen e tyre nga rregullatorët e bankës. Korrespondentët thonë se këto ndryshime shënojnë fundin e imazhit tradicional të qendrës financiare Wall Street. Sekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Henry Paulson, i ka kërkuar Kongresit të shpejtojë miratimin e planit 700 miliardë dollarësh të administratës amerikane për shpëtimin e institucioneve financiare. "Kjo është një ndërhyrje e madhe nga shteti. Unë mendoj se kjo është një kohë e paprecedent. Sistemi ynë rregullator nuk funksionon, ai ka mangësi. Unë asnjëherë nuk kam menduar se filozofia e ndërhyrjes është gjë e mirë, por po ju them se në këtë moment është e nevojshme", - tha Sekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Henry Paulson. Zoti Paulson u bëri thirrje vendeve të tjera të ndjekin shembullin amerikan për zgjidhjen e krizës financiare globale. Plani i daljes nga kriza është shoqëruar edhe me kritika. Të dy kandidatët për Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama dhe John McCain, kanë kërkuar kontroll të pavarur të zbatimit të këtij plani.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›