Buxheti 2009, priten sugjerimet e FMN-së
Viti që vjen ndonëse një vit elektoral do të shoqërohet me rritjen e investimeve, të cilat kryesisht do të shkojnë për infrastrukturën rrugore. Madje një pjesë e mirë e këtyre investimeve do t’i delegohen pushtet vendor, për të përmirësuar infrastrukturën në shumë bashke e komuna të largëta. E gjithë kjo do të behët e mundur me hartimin dhe miratimin projektbuxhetit të vitit 2009. Ky projektbuxhet, sipas specialistëve të Ministrisë së Financave, synon të përmirësojë ndjeshëm sektor të rëndësishëm të jetës si arsimi shëndetësia si dhe investimet publike. Ashtu sikundër ka deklaruar disa ditë më parë dhe kreu i ekzekutivit, buxheti i vitit 2009 është buxheti që do të përmbushë gjithë premtimet e dhëna nga maxhoranca. Kreu i qeverisë premtoi se buxheti i ri i vitit 2009, do t’u japë përgjigjen e duhur përcaktimeve të programit qeveritar dhe përveç investimeve në infrastrukturë, do të jetë një zë i fuqishëm për rritjen e pagave dhe pensioneve, sidomos për 800 mijë familje shqiptare buxhetore. Specialistë të Ministrisë së Financave bëjnë me diej se drafti i projektbuxhet është hartuar dhe ai po shihet nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili pritet që brenda javës që vjen të japë vlerësimet apo sugjerimet për ndryshimet që i duhen bërë këtij buxheti, dhe pritet që brenda muajit tetor buxheti pritet të kalojë për shqyrtim në kuvend. Specialistët e Ministrisë së Financave vlerësojnë se buxheti i vitit 2009 është buxheti më i madh në historinë e këtij vendi, rreth 1 miliard dollarë më shumë se ky që është në vazhdim, i cili jep të gjitha mundësitë qeverisë, të mbajë plotësisht premtimin për rritjen e pensioneve në fshat me 20%, në qytet me 10%, dyfishimin e rrogave të mësuesve, infermiereve, rritjen thelbësore të ndihmës ekonomike dhe rrogave të tjera. Drafti parashikon që
buxheti në tërësi të jetë në vlerën 5.2 miliardë dollarë ose rreth 390 miliardë lekë. Pra, krahasuar me shtatorin e vitit 2007 kur buxheti ishte 4.2 miliardë dollarë, buxheti për vitin 2009 do të jetë 1 miliard dollarë më i madh. Buxheti i vitit 2009 parashikohet të mbështesë edhe investimet në ujësjellës, kanalizime, impiantet e përpunimit të ujërave, rrugë dytësore dhe akse kombëtare. Siç ka vlerësuar Kryeministri, buxheti i vitit 2009 është buxheti i përfundimit dhe vazhdimit të rreth 820 km autostrada dhe rrugë kombëtare në të katër anët e vendit. Do të përfundojë rruga Durrës-Morinë, si dhe një seri rrugësh të tjera kombëtare, të rëndësishme. Do të nisin të tjera autostrada. Do të përfundojë rruga Korçë – Qafë-Plloçë, Bllacë - Bulqizë, nis rruga e Arbrit nga Bulqiza dhe nga Tirana në dy drejtime, si dhe do të nisë rruga Qafë-Plloçë – Qafë-Thanë
Projektbuxheti i vitit 2009 është pjesë e programit afatmesëm buxhetor që ka përgatitur qeveria, që parashtron objektivat financiare deri në vitin 2011. Sipas parashikimeve të këtij programi, rezulton një rritje në nivelin total të parashikuar të të ardhurave buxhetore për periudhën 2009-2011. Pika mbështetëse e rritjes së të ardhurave është ecuria në rritje e të ardhurave nga tatimet dhe doganat për 6-mujorin e parë të vitit 2008. Nisur nga niveli i parashikuar në rritje i të ardhurave buxhetore në periudhën 2009-2011, shpenzimet buxhetore parashikohen që të qëndrojnë në 32% të PBB-së, duke ruajtur konstantë parametrat e parashikuar të deficitit buxhetor të përcaktuara në Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal 2009-2011.