E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, fillon investimi i pusit 7



Miniera e Bulqizës ka hyrë tani në një fazë të re investimesh, që pritet të modernizojnë thellësisht kushtet e prodhimit dhe ato të punës, ndërsa do t’ia zgjasin jetën minierës me të paktën 25 vite. Administratori i minierës, inxhinieri Petrit Duva, thotë se Albanian Chrome ACR ka bërë gati të gjitha hapat përgatitore për të filluar punimet për hapjen e aksit të pusit nga niveli i 14-të deri në nivelin e 9-të, duke arritur deri në kuotën 250 metra thellësi. “Ne brenda datës 1 tetor do të kemi nisur nga puna, ndërsa porosia për makinën e re ngritëse tashmë është bërë”, - shpjegon Duva. Koha e dorëzimit të makinës së re, e cila do të kontrollojë tërësisht sistemin e shërbimit në pusit për ngritjen e ashensorëve, vagonëve të mineralit, mjeteve të punës e njerëzve, është rreth 6 muaj. “Ndërkohë, është bërë porosia nga një ndërmarrje ruse që do të sjellë 2 Alimakë, të cilët do bëjnë të mundur hapjen e këtij aksi të punimit të pusit nga niveli 14 deri tek i 9-ti”, - shpjegon inxhinieri, i cili drejton prej më se 10 muajsh minierën kryesore të kromit në vend për llogari të firmës Albanian Chrome ACR. Por kjo nuk mjafton për kompaninë, e cila deri tani thotë se ka investuar në Bulqizë mbi 6 milion euro, në makineri e mjete, përmirësim kushtesh pune e pagesa. Pusi i ri do të rrisë prodhueshmërinë e minierës me më se 3 herë në krahasim me nivelin ekzistues, deri në 250,000 ton në vit. Studimi i bëshmërisë në lidhje me këtë projekt u përgatit nga instituti rus Giprozvetmet dhe në qershor 2008 u dorëzua në ministri për të marrë lejet e nevojshme. Punimet përgatitore për zbatimin e projektit teknik janë kryer, janë përmbyllur negociatat me furnitorët e teknologjive kryesore dhe pajisjeve teknike dhe grupin e specialistëve rusë, që do të ndihmojnë në fazën fillestare personelin e minierës që të realizojnë vendosjen e plotë të pajisjeve në punë. Më herët, Albanian Chrome ACR porositi dhe montoi një sondë të re shpimi, duke realizuar gjatë muajit gusht edhe trajnimin e punëtorëve që do të punojnë me të. “Është një pajisje shume e mirë e një teknologjie kryesuese botërore si Atlascopsco, firmë e cila aftësoi edhe stafin tonë”, - thotë administratori Duva. Sonda do të zbulojë të gjitha rezervat që gjenden poshtë nivelit të 16 të minierës dhe unë besoj se ajo do të jetë një garanci më shumë për hapjen e pusit 7”. Ndërkaq, është ndërtuar bazamenti dhe është montuar sonda, janë dhënë këndet e shpimit dhe tani është gati për të nisur nga puna. Në kuadër të përmirësimit rrënjësor të sistemeve të minierës, në minierë ka arritur ventilatori i ri kryesor. Për zhvendosjen e tij Albanian Chrome ACR po hap një rrugë të re për ta sjellë atë pranë minierës, ndërsa këto ditë fillon puna për ndërtimin e sallës ku ventilatori i ri do të montohet. Miniera e Bulqizës është një prej veprave industriale të kromit që menaxhon Albanian Chrome ACR, me pronarë DCM DECO metal të Austrisë dhe grupin rus Terwingo.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›