FMN: Jo uljes së kontributit të sigurimeve shoqërore
Sistemi i pensioneve në Shqipëri ka nevojë për një reformë te re, me qëllim që në një të ardhme pensioni të jetë i sigurt dhe të përballojë shpenzimet e një të moshuari të moshës së tretë. Por që ky pensionist, për të pasur një pension të përshtatshëm, duhet që në këtë kohë të derdhë sa më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore. Garancia e një pensioni të mjaftueshëm, në një të ardhme është arsyeja pse Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka rekomanduar qeverisë shqiptare që të mos ulë nivelin e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Gervin Bell, shef i Misionit të FMN-së, në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Financave, Ridvan Bode, deklaroi se i ka sugjeruar qeverisë të mos ulë masën e kontributeve, iniciativë kjo që qeveria do të nisë ta zbatojë në fillimin e vitit 2009. Qeveria parashikon të ulë nivelin e kontributeve, duke e përdorur këtë si masë për uljen e informalitetit. Ndërsa Bell u shpreh se qeveria duhet të gjejë masa të tjera për të ulur nivelin e informalitetit, ministri Bode tha se ulja e taksës së kontributeve shoqërore ndërmerret në kuadër të politikave të qeverisë për uljen konstante të taksave. Shefi i FMN-së, Bell, rekomandoi që
ne biem dakord me qeverinë që lufta kundër informalitetit të bazohet në masa që nxisin dhe inkurajojnë vetëdeklarimin sesa në udhëzime administrative që bëhen barrë për bizneset dhe thjesht shtojnë mundësinë për abuzim dhe korrupsion. “Në mënyrë të veçantë, do të sugjeronim kundër uljes së normës kontributit të sigurimeve shoqërore në këtë moment, në të kundërt, do të sugjeronim të bëheshin më tepër përpjekje për të hartuar një reformë pensionesh që do të bënte një lidhje më të fortë mes madhësisë së kontributit dhe asaj të përfitimit”, - ka deklaruar Bell. Shefi i FMN-së arsyeton se nëse kontributi dhe përfitimi janë më mirë të lidhura, pra një madhësi më e madhe e kontributeve, do të thotë pension më i lartë, atëherë duhet të ketë një nxitje për të paguar kontributet aq sa janë, përndryshe nuk do të marrësh pensionin. Sipas Bell, nxitja për të paguar kontributet është një mënyrë më e mirë për të ulur informalitetin sesa disa masa të tjera që po diskutohen kohët e fundit. Ai, nga ana tjetër, pranoi që reforma në pensione ka një kosto, por kjo duhet të merret parasysh nga qeveria. “Patjetër që reforma në sistemin e pensioneve kushton, por në rast se nuk ulen normat e kontributeve të sigurimeve shoqërore, kjo mund të financohet”, - ka nënvizuar Bell.
Shefi i FMN-së për Shqipërinë i rekomandoi qeverisë se duhet të ndërmerret një reformë e mirëfilltë për pensionet, për të pasur një siguri për të ardhmen.
“Nëse nuk bëhet kjo, problemi që shohim është se nuk do të ketë një skemë pensionesh publike, sepse dhe tani fokusi është me një mbështetje minimale për popullatën e moshës së tretë, çfarë e bën më shumë një rrjet mbështetjeje sociale sesa një pension”, - tha Bell, ndërsa vuri theksin në domosdoshmërinë e reformimit të sistemit të pensioneve.
Por shefi i FMN-së është kundërshtuar nga ministri i Financave, Bode, i cili tha se ulja e taksës së kontributeve shoqërore bëhet në kuadër të një politike konstante të uljes së taksave që po zbaton qeveria. “Tashmë është e njohur që qeveria shqiptare ka adaptuar një politikë konstante të uljes së nivelit të taksave dhe ka përgjysmuar nivelin e të gjithë taksave në krahasim me vitin 2005. Ky është akti i fundit që bën me përgjysmimin e taksës së fundit mbi bizneset, taksat e drejtpërdrejta. E vërteta është që ulja e taksave dhe administrimi i mirë i tyre, zgjerimi i bazës së kontribuuesve përbën rrugën më të mirë për të rritur të ardhurat e buxhetit dhe përbën po ashtu instrumentin më të mirë për të nxitur zhvillimin e ekonomisë dhe të bizneseve private”, - është deklaruar Bode. Ai nënvizoi se kjo masë merret për të ulur nivelin e informalitetit në tregun e punës, i cili vazhdon të mbetet problematik për qeverinë, dhe kjo sipas tij, vjen nga presioni i madh i taksave. Ministri tha se kjo taksë do t’u përafrohet vendeve të rajonit. “Vendet e tjera të rajonit e kanë të gjithë nën 20% kontributin e sigurimeve shoqërore që paguan punëdhënësi. Ne po përpiqemi ta çojmë në mesataren e vendeve të rajonit për të mundësuar një dalje në treg, në dritë, të një numri të madh biznesesh që ende bazohen mbi punën e zezë, mbi mospagimin e kontributeve të punëmarrësve dhe po ashtu, në mossigurimin e tyre për pension”, - ka sqaruar ministri Bode.
FMN: Buxheti 2009, kujdes borxhin, jeni në vit zgjedhjesh
Marrëveshja 3-vjeçare e qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar përfundon në këtë fund viti. Misioni i FMN-së i ndodhur në Tiranë për të diktuar rreth projektbuxhetit, ka dhënë rekomandimet e fundit, si dhe disa sugjerime që duhen ndjekur nga qeveria shqiptare kur ata të mos jenë më. Zbatimi i buxhetit të vitit 2009 për qeverinë shqiptare do të jetë disi i vështirë për dy arsye kryesore. Së pari, për shkak të krizës globale, e cila do të reflektohet edhe në vendin tonë me disa komponentë. Së dyti, viti 2009 është një vit zgjedhjesh dhe do të rrisë koston financiare. Ndaj FMN-ja sugjeron që qeveria të ketë kujdes me investimet me qëllim që të kontrollojë borxhin. Kriza globale do të ndikojë në Shqipëri, për shkak të ritmeve të ulëta të rritjes që do të shoqërojë ekonominë evropiane e cila do të reflektohet në vendin tonë me dërgesat e emigrantëve. E gjithë kjo krizë do të reflektohet në uljen e dërgesave të emigrantëve në Shqipëri. Duke qenë se remitencat kanë një ndikim në ekonominë vendase, duke qenë se brenda një viti ato arrijnë deri në 1 apo 1.5 miliardë euro, rënia e tyre do të ndihet. “Duke marrë në konsideratë situatën globale financiare, është e rëndësishme që buxheti i vitit 2009 të mos japë një impuls fiskal. Mendoj se për vitin që vjen, një nivel i matur i deficitit të buxhetit do të ishte një nivel 3 apo 3.5 për qind e GDP-së dhe ky do të ishte i përshtatshëm”, - tha Bell. Sipas tij, kjo do të ishte një mënyrë e matur për të ruajtur me siguri stabilitetin makroekonomik. Bell vuri theksin se qeveria duhet të gjejë një rregull fiskal për të kontrolluar shpenzimet, duke qenë se marrëveshja me FMN-në përfundon. “Në janar marrëveshja aktuale që kemi me qeverinë shqiptare përfundon. Duhet në të ardhmen që të ketë ndonjë rregull fiskal apo mekanizëm fiskal në mënyrë të ngjashme me objektivin që Banka e Shqipërisë ka për inflacionin, në mënyrë që kjo të japë një sinjal se çfarë synon politika fiskale dhe të limitojë politikën fiskale. Ne i rekomandojmë qeverisë që të miratojë, të zgjedhë një rregull fiskal që të ketë në zbatim për periudhën kur FMN-ja nuk do të jetë e angazhuar në programe”, - ka deklaruar Bell
Nga ana tjetër, shefi i FMN-së ka vlerësuar politikat monetare dhe financiare dhe tha se Fondi është shumë i kënaqur që inflacioni është kthyer në ata kufij të objektivit. Po ashtu, ai ka vlerësuar procesin e privatizimit të OSSH-së, si dhe përmirësimin e treguesve të saj si në arkëtime të energjisë dhe humbjet në rrjet, por ka theksuar se ato janë ende larg objektivave. FMN-ja sugjeroi që KESH-i të respektojë limitet e importit. Për sa i përket Bankës së Shqipërisë, FMN-ja rekomandoi që të monitorojë me shpeshtësi të madhe zhvillimet në tregjet botërore, në mënyrë që të sigurojë stabilitetin financiar këtu dhe të jetë gjithmonë vigjilente për t’u paraprirë rreziqeve që vijnë nga këto tregje. BSH-ja duhet të jetë e gatshme, nëse ka përkeqësim në pritshmërinë për inflacionin të reagojë, qoftë edhe duke rritur normat e interesit.