Marrëveshjet me FMN-në janë “ok”, deficiti buxhetor dhe borxhi nuk do të rriten
Berisha garantoi dhe njëherë se Qeveria ka marrëdhënie të shkëlqyera me institucionet ndërkombëtare financiare. Ai përsëriti se me rritjen e pagave dhe pensioneve nuk shkelet asnjë marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar apo me ndonjë institucion tjetër financiar. “Me këtë rritje edhe njëherë dua të theksoj se nuk shkelim asnjë marrëveshje me FMN, por dua të informoj shqiptarët se, para vitit 2006, rrogat dhe pensionet, jo vetëm nuk siguroheshin me të ardhurat buxhetore, por një pjesë e kredive përdorej për financimin e tyre. Borxhi publik, për të cilin flasin sot, kritizerë të pabazuar, ishte 72 për qind, deficiti buxhetor ishte 7.8 për qind. Kjo është e vërteta e kuadrit makroekonomik që ne gjetëm në shtator të vitit 2005 dhe megjithëse kemi investuar miliarda euro dhe nuk kemi përdorur një qindarkë për rroga dhe pensione, borxhi publik do të jetë 59.7 për qind, nuk rritet më. Ky është zotimi ynë para partnerit tonë të shkëlqyer FMN. Deficiti buxhetor nuk rritet dhe nuk do të pranojmë të rrisim, por shkurtojmë shpenzimet administrative, në mënyrë që ne të qëndrojmë besnikërisht në një deficit buxhetor, jo mbi 3.5 për qind dhe ky është një zotim solemn dhe një ligj i kaluar në parlament dhe ne nuk po e lëvizim, nuk po e ndryshojmë. Në shtyllat kryesore të stabilitetit makroekonomik, ne qëndrojmë pikë për pikë siç është votuar në parlament dhe siç jemi marrë vesh me FMN. Por, po në këtë ligj, po aty ku kemi miratuar borxhin 59.7 për qind, po në të njëjtin ligj ku kemi miratuar inflacionin 3 për qind dhe deficitin buxhetor 3.5 për qind, po aty kemi miratuar rritjen e rrogave dhe pensioneve. Parlamenti e ka votuar atë, ndaj dhe ne po i përmbahemi ligjeve të vendit, po i zbatojmë ato, tha Berisha, duke shtuar se, suksesi i projekteve në Shqipëri, suksesi i vërtetë i zbatimit të projekteve në Shqipëri ka bërë që këtij vendi t’i ofrohen financime të leverdishme nga shumë institucione, por ne jemi të angazhuar të mos rritim borxhin, por t’i qëndrojmë atij që kemi shpallur dhe bëjmë shumë mirë, sepse sot borxhet janë bërë një problem madhor, sepse ne vërtetë mund të bëjmë një ndërtim më shumë, duke marrë borxhin, por dënojmë, kërcënojmë sektorin privat sepse performanca apo kredibiliteti i sistemit bankar vihet në dyshim, në rast se vendi do të rrisë borxhin”.
...