Pensioni, vendimi i ri: Të shkarkohet kush arrin moshën
ADI SHKEMBI
Të gjithë punonjësit e administratës që kanë mbushur mo-shën e pensionit dhe vazhdojnë ende të punojnë, do të jenë të detyruar të lënë punën. Qeveria miratoi dje me propozim të Ministrisë së Financave një vendim “për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, nga organet e administratës shtetërore, pas plotësimit të kushteve për pension pleqërie”, ku përcaktohen institucionet që preken nga ky akt ligjor si dhe trajtimin e punonjësve që dalin në pension.
Vendimi
Konkretisht në nenin 1 të tij thuhet se vendimi rregullon procedurat që do të ndiqen nga organet e administratës shtetërore, të financuara tërësisht apo pjesërisht nga buxheti i shtetit, në rastet e plotësimit, nga ana e nëpunësit të siguruar, të kushteve për pension pleqërie. Institucionet që janë të detyruara të zbatojnë vendimin janë administrata shtetërore si dhe ato të varësisë, ndërkohë që përjashtohen subjektet që kryejnë aktivitet privat. Sipas nenit 4 të vendimit “organet e parashikuara në pikën 1, të këtij vendimi, (administrata dhe institucionet e varësisë) me plotësimin e kushteve për pension pleqërie, sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ndërpresin menjëherë marrëdhëniet e punës për këtë kategori nëpunësish/punonjësish”. Ndërkohë në paragrafin tjetër thuhet se nëpunësit, marrëdhënia e punës e të cilëve ndërpritet në zbatim të këtij vendimi, gëzojnë të gjitha të drejtat për përfitimin e pensionit të pleqërisë sipas legjislacionit në fuqi për sigurimet shoqërore.
Buxheti i institucioneve në një bankë
Qeveria nis procedurat për përzgjedhjen e një banke ku do të mund të depozitojnë fondet e tyre të gjitha institucionet shtetërore. Me propozim të ministrit të Financave është miratuar vendimi, i cili parashikon një sërë kriteresh për bankën që do të përzgjidhet. Kështu kjo bankë komision minimal deri në vlerën 0, për transaksionin e transferimit të pagesave të individëve, si dhe të pagesave të tjera të lidhura me punën, në bankat e kërkuara nga vetë ata; komision minimal deri në vlerën 0, për mirëmbajtje llogarie të pagave e të pagesave të tjera; kosto minimale për transaksion; interes maksimal për llogari depozite pa afat. “Marrëveshjet e lidhura me bankën e përzgjedhur, sipas kritereve të mësipërme, të jenë vjetore dhe me të drejtë përsëritjeje, në rastin e respektimit të kritereve, të cilat kanë shërbyer për përzgjedhjen”, thuhet në vendim.