E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi i vogël, ndryshon skema e TVSH



nertila maho

Qeveria ka menduar të zbatojë një skemë të re TVSH-je për biznesin e vogël, duke ulur pragun nga 5 milionë lekë në 3 milionë lekë xhiro vjetore, kurse tavani i fundit i poshtëm është përcaktuar 2 milionë. Burime nga Ministria e Financave konfirmojnë këtë fakt, duke shpjeguar se kjo çështje pritet të zërë vend në diskutime në muajt në vijim, menjëherë pas ndryshimeve në buxhet. I pari që deklaroi këtë synim të Qeverisë ishte Ministri i Financave Ridvan Bode, në një intervistë për gazetarin Alfred Peza, në emisionin Ora e Debatit, në televizionin Ora News dy ditë më parë. Kreu i Financave, gjatë diskutimit për kasat fiskale dhe problematikën që kanë shfaqur një pjesë e tyre gjatë transmetimin online të të dhënave, konfirmoi se numri i tyre është rreth 2 mijë dhe ato do të orientohen te biznesi i vogël me një xhiro poshtë pragut minimal aktual. “Ato dy mijë kasa do të mundohemi t’i sugjerojmë kompanive t’i mbledhin dhe t’i orientojnë te biznese me xhiro 2 milionë lekë të reja, i cili do të jetë edhe limiti i fundit për t’u përfshirë në TVSH. Besoj që këtë vit do të bëjmë një hap tjetër përpara, për të zbritur në tre milionë lekë të reja dhe mbase vitin që vjen do të zbresim në bazën që të gjithë subjektet e biznesit të vogël me një xhiro mbi 2 milionë lekë të reja të jenë subjekte TVSH-je”, tha Bode. Ndërkaq, ministri theksoi se janë plot 14 mijë kasa që aktualisht funksionojnë shumë mirë, çka përbëjnë rreth 80-90 për qind të pajisjeve elektronike fiskale në total.
Efektet e
skemës së re
Ndryshimi i fundit i pragut, nga 8 në 5 milionë lekë, përfshiu në skemën e TVSH-së një numër të konsiderueshëm biznesesh, ndërkohë që rindryshimi pritet të përfshijë shumicën e atyre që janë jashtë saj. Rrjedhimisht kjo do të japë efektet e saj edhe në arkën e shtetit, pasi tashmë këto biznese detyrimet e tyre nuk do t’i derdhin në bashki apo komunë, por në buxhet. Por Ministri i Financave, më shumë sesa një strategji për më shumë të ardhura, këtë nismë e ka justifikuar me formalizimin që do t’i bëhet tregut. “Pragun do ta ulim në mënyrë graduale, nga tetë milionë lekë që ishte, e bëmë pesë dhe mund të shkojë për vitin 2011 në tre milionë lekë të reja xhiro, dhe akoma më vonë në 2 milionë”, u shpreh ministri. Sipas tij, ekonomia do formalizohet pasi implementimi i pajisjeve elektronike fiskale do të çojë detyrimisht në formalizim të plotë të saj, duke përfshirë këtu një pjesë të biznesit të vogël dhe në këtë pikë Bode shpjegoi edhe atë çka quhet biznes i vogël. “Një biznes konsiderohet i vogël në kuptimin tonë tradicional, kur është nga 5-8 milionë lekë xhiro, por ama është në TVSH si biznes. Vitin tjetër do zbresim në tre milionë dhe do konsiderohet në klasifikim si biznes i vogël, por do të jetë në implementim me TVSH ndërsa në 2011 do të zbresim në 2 milionë, do të jetë tavani i fundit i poshtëm”, tha ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›