Punimet në shesh, skema e re e trafikut në Tiranë
Bashkia e Tiranës publikon skemën e re të devijimit të trafikut në kryeqytet. Nga sa bëri me dije zyra e shtypit, masat e marra do të mundësojnë shmangien e trafikut dhe garantimin e punimeve për rigjallërimin e sheshit “Skënderbej”. “Në këtë kua-dër dhe në vijim të zbatimit të fazës së dytë të punimeve për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”, Bashkia e Tiranës njofton devijimin e fluksit të trafikut nesër në rrugën e “Dibrës”, me drejtim djathtas në rrugën “Bardhok Biba” dhe “Urani Pano””, thuhet në deklaratën për mediat të këtij institucioni.
Sipas saj, skema e hartuar është e llogaritur, që edhe në periudhat e pikut të trafikut të jetë funksionale. “Kjo skemë po shoqërohet gjithashtu edhe me një informacion periodik dhe të vazhdueshëm për publikun, lidhur me çfarë do të bëhet, devijimet e trafikut dhe efektet e pritshme të tij”, bëri me dije bashkia. Sipas saj, shmangia e trafikut në rrugët e përcaktuara sipas këtij plani, të cilat janë parashtruar para nisjes së punimeve, është bërë gradualisht. “Ka filluar me “Rrugën e Kavajës”, e cila ka hyrë në Unazën e Vogël, ka vijuar me rrugën e Durrësit, me të gjitha ndërhyrjet anësore, si dhe me rakordimet e rrezeve të kthimit, aty ku ka pasur probleme, siç është rasti te kryqëzimi përpara selisë së PS-së. Po ashtu, është aplikuar një skemë e re e respektimit të stacioneve për linjat e transportit publik, të itinerareve dhe menaxhimit të tyre”, sqaron Bashkia e Tiranës. Po dje, një lajm tjetër i mirë për kryeqytetasit që lëvizin me linjën e unazës. Plot 10 autobusë të rinj i janë shtuar atyre ekzistues, ndërkohë që priten edhe 10 të tjerë. Këta të fundit, ashtu siç ishte premtuar janë të pajisur me kondicionerë dhe sistem ventilimi, që sidomos tani në verë është i domosdoshëm për qytetarët.