Koncesionet, Qeveria vendos afat për ndërtimin, ose hiqet licenca
Kompanitë që kanë marrë licencën për ndërtimin e një hidrocentrali me koncesion, apo që do ta marrin atë në vazhdim, do të përballen me afatet kohore për fillimin e punës. Qeveria gjatë mbledhjes së djeshme miratoi një vendim që sjell ndryshime në ligjin “Për Koncesionet”, i cili detyron kompanitë kontraktore që të fillojnë punën në terren pas disa muajve, por koha varet nga kapaciteti i hidrocentralit. Sa më i lartë kapaciteti, aq më e madhe është edhe koha që i lihet në dispozicion kompanisë, por në rast se kjo e fundit nuk zbaton afatet e humb të drejtën për të ndërtuar. “Autoriteti Kontraktor, në bazë të një vlerësimi, mund të japë një afat deri në 12 muaj, për kontratat e ndërtimit të hidrocentraleve me koncesion me kapacitet deri 5 MW, deri në 18 muaj, për kontratat e ndërtimit të hidrocentraleve me koncesion me kapacitet nga 5 deri 20 MW dhe deri në 24 muaj, për kontratat e ndërtimit të hidrocentraleve me koncesion mbi 20 MW, për marrje lejeje dhe përgatitje projekti”. Ndërkohë që përcaktimi i afateve konkrete është përcaktuar që të rregullohet me udhëzim të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Afatet
1. Kapaciteti 5MW Koha 12 muaj
2. Kapaciteti 5-20MW Koha 18 muaj
3. kapaciteti mbi 20 MW Koha 24 muaj