E Diel, 1 Nëntor 2026

Kritika e përgjumur...



Enton BIDO

Teza se kritika letrare e pas ’90-ës është e zbehtë dhe apatike besoj se qëndron. Duke qenë se pas viteve ’90-të fluksi i botimeve nga autorët shqiptarë u shumëfishua krahasimisht me periudhën e gjysëmshekullit të fundit, kritika u gjend e papërgatitur së pari numerikisht, domethënë para numrit shumë të madh të titujve. Së dyti, ajo nuk arriti të përshtaste instrumentariumin e vet teorik me epokën e re. Një pjesë e studiuesve patën ndalur vetëm te metodologjia e socrealizmit dhe nuk shkuan dot më tej. Ata do të mund të përthithnin krijimtarinë vetëm realiste, pra, e kishin të vështirë t’i qaseshin larmisë së rrymave letrare, që solli shek.XX.
Këtu mandej lindi një tjetër problem, jo më vetëm i kritikëve e studiuesve, por edhe i vetë shkrimtarëve, letërsisë, zhvillimit artistik e mendor shqiptar. Rryma e drejtime letrare e artistike të fundshekullit XIX e gjysmës së parë të shek.XX, autorët tanë i eksperimentuan nga 1990 e këndej. Elemente modernizmi, edhe këto të veçuara, që shfaqën autorë të ndaluar si K. Trebeshina apo V. Zhiti, vetëkuptohet që mbetën sirtareve. Pra, vonesa të tilla të rendit historik e kulturologjik nuk lanë hapësira e mundësi që eksperimentet e shpërndara të bashkoheshin në rryma a shkolla të mirëfillta letrare. Doemos, kjo tollovi ia vështirësoi punën kritikës. Aq sa edhe “Historinë e letërsisë shqiptare deri sot” nuk e hartoi as Akademia e Shkencave (Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë), as Fakulteti filologjik (Departamenti i Letërsisë), por albanologu R. Elsie.
Duke kaluar te letërsia shqiptare në Kosovë e diasporë, shihet se modernizmi u lëvrua më gjerë. Mjaft të përmendim romanin Oh të A.Pashkut apo poezinë e A. Podrimjes. Duke patur relativisht një liri më të madhe të shkruari, këta autorë arritën nivele të larta, sidomos në poezi. Poetë të shquar si A. Shkreli apo D. Mehmeti do ta ngrinin në maja të panjohura më parë poezinë shqipe. Mendojmë se edhe dramatika shënoi kulme (T. Dervishi, E. Kryeziu, A. Pashku); proza mbeti diçka më prapa. Në RPSSH mendojmë se ndodhi e anasjellta, pra proza, sidomos proza e gjatբ, njohu kulme me tepër se poezia.
Edhe në lëmin kritik e teoriko-letrar patëm emra profesionistësh si S. Hamiti, A. Aliu, I.Rugova, etj. Veç aftësisë së njëmendtë të atyre, shtohet dhe mundësia për t’u specializuar në vendet perëndimore dhe botimi në ish-Jugosllavi i një literature shumë më të pasur se në Shqipëri. Natyrisht, tek autorët shqiptarë në Kosovë e më gjerë, si shtrëngesë duhet mbajtur mirë parasysh çensura me theks nacionalist apo ideologjik.
Problem më vete përbën edhe përcaktimi i vlerave apo orientimi i lexuesit në morinë e titujve të përkthyer nga letërsia e huaj. Përveç dyshimeve mbi cilësinë e përkthimit, ku shpesh redaktorët punojnë shkele hko, hamendjet mbi vlerat e autorit bazohen ose te shija e lexuesve të tjerë, ose te ndonjë reklamë në shtyp. Këtu problemi shtrohet edhe më i ndërlikuar. Por kur kritika jonë është e mefshtë me letrat shqipe, si mund të jetë vepruese me letërsinë e huaj?
Në Shqipërinë e pas ’90-ës u shfaq edhe një dukuri tjetër. Shumë njerëz të paspecializuar, ardhur nga profesione larg letërsisë, filluan të merren si me letërsi, ashtu dhe me kritikë letrare. Në masën më të madhe këto “shënime mbi letërsinë” janë përgjithësisht vetëm miratuese, pozitive, domethënë zakonisht lëvdojnë libërshkruesin në fjalë. E keqja është se këta “kritikë” s’e kanë idenë e terminologjisë, analizës e sintezës. Ata nuk zotërojnë as dijen e duhur, as theksin kritik. Shumë-shumë, në mbyllje të artikullit të tyre mund të gjesh ndonjë sugjerim, por rrallëherë vërejtje apo nënvizim të metash. Pra, me ç’duket, ndodh “teoria e kompensimit”: meqë heshtin kritikët e mirëfilltë, mbushin boshin pseudokritikët. Ky kompesim, kuptohet, është i dëmshëm.
Po ashtu, është shfaqur edhe një tjetër lloj “kritike” panegjerike dhe klienteliste. Pra, shkruhet mbi autorët mbi bazën e njohjeve vetjake, apo për shkaqe të tjera subjektive. Edhe nëse libri i i aksh letrari mbart ndonjë vlerë, ato zmadhohen apo u shtohen cilësi të paqena. Shpesh, kjo bëhet kur shkronjësi është i njohur në fusha të tjera, është me pozitë, etj. Për shembull, vitet e fundit është i pavend dhe joprofesional lëvdimi i titujve të tillë, si: Parrullat me gurë, Preja e një martese të lodhur, Dhjetë ditë që nuk tronditën botën, etj.
Pozitiv është fakti që edhe në këtë lëmë shfaqen disa emra studiuesish të brezit të mesëm, të cilët sjellin qasje e interpretime të reja. Mund të përmenden emra si Sh. Sinani, A.Plasari, A.Marashi, K.Jorgo, etj, të cilët kanë sjellë ndihmesa me punime të mirëfillta shkencore në fushat e etnologjisë, letërsisë së krahasuar, letërsisë moderne, etj. Ata dhe të tjerë kanë vlerësuar edhe shkrimtarë të sotëm, që premtojnë për më tej. Por vetëm një grusht autorësh dhe punimesh është i pamjaftueshëm. Duhet që kjo frymë e re pretenduese të përhapet më shpejt e të ngulmojë më shumë.
Është urgjente që specialistët e letërsisë të dalin nga gjumi letargjik. Letërsia e sotme shqiptare paraqitet interesante dhe e larmishme. Për periudhat e kaluara të saj ka ende shumë për të analizuar, zbuluar dhe saktësuar. Le të mos ua lemë penën e fjalën profanëve, të mos mjaftohemi me faqet kulturore të shtypit të shkruar apo elektronik. Në këtë mënyrë do të ndihmojmë artin, kulturën po edhe mbarë mendimin shqiptar.

28 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›