E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrin 5 orë peng 17-vjeçarin, arrestohen motër e vëlla

SARANDE - Vëlla e motër nga Berati, me banim në Sarandë, kanë marrë peng pasditen e së dielës për 5 orë një 17-vjeçar. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së Sarandës, bëjnë të ditur se janë arrestuar në kushtet e flagrancës Bekim Jaçaj, 28 vjeç dhe Fatbardha Jaçaj, 25 vjeç, vëlla e motër, lindur në Berat, pasi për pesë orë kanë mbajtur peng 17-vjeçarin me iniciale A.M. nga Saranda. Mësohet se 17-vjeçari që është marrë peng, është vëllai i ish-bashkëjetuesit të 25-vjeçares. Problemet që çuan në ndarjen e çiftit, duket se kanë shtyrë vëlla e motër të ndërmarrin këtë rrëmbim, për t'u hakmarrë. Mungesa në shkollë dhe në shtëpi e adoleshentit ka bërë që familja të njoftojë policinë. Madje familjarët e 17-vjeçarit, nisur edhe nga problemet e kaluara, kanë dhënë vetë sinjalin se ku mund të ishte djali. Menjëherë blutë e Sarandës kanë shkuar në banesën e 25-vjeçares, dhe pas kërkimit, kanë gjetur të fshehur, me gojë dhe sy të mbyllur, 17-vjeçarin A.M.. 

NGJARJA
25-vjeçarja Fatbardha Jaçaj, prej disa vitesh ishte shpërngulur nga Berati në Sarandë, për shkak të një lidhjeje që kishte krijuar me një djalë nga ky qytet, me të cilin bashkëjetonte. Por lidhja dhe bashkëjetesa e tyre nuk zgjati shumë; pas konfliktesh dhe debatesh të herëpashershme, çifti u nda. Por me sa duket, kjo gjë ka nxitur inatin e 25-vjeçares, e cila së bashku me vëllain, kanë rënë dakord për t'u hakmarrë, duke marrë peng 17-vjeçarin. Pasi janë marrë vesh, ka qenë Bekimi ai që e ka mashtruar të riun, duke e marrë dhe çuar në banesën ku jetonte e motra. Për pesë orë, 17-vjeçari është mbajtur i izoluar, me sy e gojë të zënë me letër natriban. Mungesa e djalit në shkollë dhe në shtëpi, ka vënë në alarm familjarët dhe ata kanë denoncuar mungesën e tij në Komisariatin e Policisë së Sarandës, shoqëruar edhe me dyshimin se çfarë mund të kishte ndodhur. Menjëherë blutë e Sarandës kanë shkuar në banesën e 25-vjeçares. Pas disa minutash kontroll, është bërë e mundur gjetja e 17-vjeçarit dhe janë vënë në pranga pengmarrësit Fatbardha dhe Bekim Jaçaj, me akuzën për veprën penale "Heqja e paligjshme e lirisë" për shtetasin A.M.. Materialet proceduriale i janë referuar Prokurorisë së Sarandës, për ndjekje të mëtejshme. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›