Marrja e statusit kandidat, Sequi: Pyesni politikanët

Kreu i PS-së Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e BE-së në Tiranë Ettore Sequi. Takimi është zhvilluar në selinë në rozë ndërsa pritet që në fokus të takimit kanë qënë zhvillimet e fundit politike në vend dhe plotësimi i 12 kritereve të kërkuara nga KE-ja për integrimin e vendit.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, ambasadori Sequi theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë mbetet në dorë të klasës politike shqiptare pasi është ajo që duhet të plotësojë 12 kriteret e kërkuara nga Komisionit Europian.
“Duhet të pyesni klasën politike shqiptare nëse Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat” iu përgjigj ambasadori Sequi pyetjes së gazetarëve.
Takimi mes ambasadorit Sequi dhe kreut të PS-së Rama vjen një ditë pasi kryesocialisti Rama u takua edhe me Zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Philip Reeker.
Zyrtari i lartë amerikan i bëri apel klasës politike që të përfundojë gjatë muajit shtator reformën parlamentar, të miratojë ligjin për Gjykatën e Lartë dhe heqjen e imunitetit.
Ndërkohë muajin tjetër, Komisioni Europian do të publikojë progres raportin për Shqipërinë ku pritet të jepet një përgjigje nëse vendi ynë do ta marrë ose jo statusin e vendit kandidat.