E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marseille, kampion

Olympique Marseille siguroi titullin e parë të kampionit të Francës, pas 18 viteve, të mërkurën, kur mposhti Rennesin 3-1. Fituesi i kupës evropiane 1993 – që kishte humbur titullin e kampionit të Francës më 1993 për shkak të skandalit të kurdisjes së ndeshjeve – ka tetë pikë epërsi ndaj Lille dhe Auxerre, dy xhiro para përfundimit të kampionatit.

Golat nga mbrojtësi argjentinas Gabriel Heinze – i cili tani ka fituar ligën në tri shtete të ndryshme – golashënuesi më i mirë dhe kapiteni Mamadou Ninag dhe përforcimi më i shtrenjtë Lucho Gonzales i siguruan Marseilles titullin nën drejtimin e trajnerit Didier Deschamps, i cili ishte anëtar i ekipit që kishte ngritur trofeun e kaluar më 1992. Ky është titulli i tyre i 9-të në kampionatin francez.

Shpresat e Auxerre, për të ndjekur titullin, u shuan pas humbjes 2-1 nga Olympique Lyon. “Është e jashtëzakonshme dhe meritat u takojnë futbollistëve”, tha Deschamps. “Ka qenë një aventurë e jashtëzakonshme, triumf i madh për klubin dhe anëtarët e tij. Është rezultat i nëntë muajve të punës me shumë batica dhe zbatica. Ndihem shumë krenar”, shtoi ai. Deschamps u paraqit jashtëzakonisht i qetë, pavarësisht skenave kaotike të festës në Velodrome.

“Unë nuk jam për vallëzim. Nuk jam valltar i mirë. Si futbollist gëzimi është i ndryshëm. Si trajner jeni më i përmbajtur sepse duhet të mendoni për të gjithë, stafin mjekësor dhe stafin teknik. Por, është gëzim i madh që kemi fituar titullin. Ka qenë vit i shkëlqyeshëm për të gjithë ne”, u shpreh ai.

I pyetur nëse kjo është arritja më e madhe në karrierën e tij si trajner, Deschamps tha: “Isha me fat që kam fituar dy kupa të Ligës (me Monacon dhe Marseille) dhe një titull në Serie B me Juventusin. Edhe këto ishin përvoja të mira, por një titull i rëndësishëm është më i vështirë sepse është rezultat i punës afatgjate. Është shpërblim për punë të madhe dhe vazhdimësi. Kjo është ajo çfarë dua”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›