E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungojnë vijat e bardha në kryeqytet

Një ndër problemet që karakterizon kryeqytetin tonë, është edhe mungesa e vijave të bardha në rrugë, në mënyrë që qytetarët kalimtarë të informohen për vendin ku kanë të drejtë të kalojnë. Vijat e bardha në rrugët kryesore të kryeqytetit, në disa vende nuk ekzistojnë fare, ndërsa në pjesë të tjera janë drejt fshirjes. Edhe në raste kur janë bërë vijat e bardha, ato janë fshirë shpejt, jo vetëm për shkak të kalimit të shpeshtë të automjeteve, por edhe nga cilësia e dobët e bojës. Ndërkaq, mungesa e vijave të bardha ka çorientuar shpeshherë si këmbësorët, ashtu dhe drejtuesit e automjeteve, fenomen i cili jo në pak raste ka çuar në aksidente tragjike. Fenomeni është më shqetësues për të moshuarit dhe fëmijët, të cilët vrapojnë me vështirësi për të arritur gjallë në krahun tjetër të rrugës. Në sajë të mungesës së vijave të bardha, në shumë raste të moshuarit nuk orientohen dot dhe kalojnë në krahë të kundërt të rrugës. Ndërkohë, problemi më shqetësues mbetet mungesa e rilyerjes së vijave të bardha. Ndonëse, akordohet një fond i veçantë vetëm për lyerjen e vijave të bardha, në realitet ky shërbim nuk o ofrohet qytetarëve. Mungesa e vijave të bardha është kthyer në një makth të përditshëm për kalimtarët. Kjo konstatohet lehtësisht nga çdo qytetarë që lëviz në kryeqytet. Vetëm gjatë Sheshit Dëshmorët e Kombit, i cili mbahet si pjesa kryesore, pothuajse nuk gjendet asnjë vend ku mund të jenë vijat e bardha. Kjo ndihmohet edhe nga mosfunksionimi i semaforëve, të cilët në disa vende punojnë, në disa jo. Jo më pak shqetësues është dalja jashtë funksionit të semaforëve, të cilët vetëm në kryqëzimin e Elbasanit, pjesën më të madha të kohës janë jashtë funksionit, ndërkohë punën e tyre e kryejnë policët rrugorë. Lufta e shoferëve dhe këmbësoreve me vijat e bardha, përfundon gjithmonë me humbjen e jetëve të qytetarëve.   

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›