E Diel, 1 Nëntor 2026

Marshimi i Ramës

Edmond Tupja 

Shumëkush nga lexuesit e  vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime të së dielës mund të pandehë, duke u nisur nga titulli i  saj i sotëm, se e kam fjalën që në krye për Edi Ramën, kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe, njëherazi, kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë pikërisht në kontekstin paszgjedhor.   Më vjen keq që po e zhgënjej, por nuk është kështu. Po shpjegohem.
Në enciklopedinë frënge Bordas, të vitit 1999, rashë dje, krejt rastësisht, ndërsa kërkoja një të dhënë historike, te fjala “Ramajana” ose, thjesht “Marshimi i Ramës”. Bëhet fjalë për një poemë epike indiane të shekullit IV me shtatë pjesë (160 000 vargje), që rrëfen trimëritë e Ramës, trashëgimtar në mërgim i fronit të qytetit Ajodhia, në veri të lumit Gang. Meqenëse bashkëshortja e tij Sita është rrëmbyer nga mbreti-demon Ravana, Rama niset në kërkim të saj, i shoqëruar nga një ushtri majmunësh nën drejtimin e Hanumanit, luftëtar-majmunesk i llahtarshëm. Pas aventurash të shumta, ai e mposht më në fund demonin gjatë një beteje të madhe dhe kthehet ngadhënjimtar në mbretërinë e vet.
Analogjia e plotë midis emrit të mbretit në mërgim të Ajodhisë dhe kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, më dha, veçse në një moment të dytë, idenë t’i krahasoja këta dy personazhe homonimë, por aspak anonimë, me njëri-tjetrin. Së pari, Ajodhia, qyteti i mbretit Rama, të kujton Tiranën e Ramës tonë për vetë faktin që Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, mban pikërisht para zyrës së bashkisë një përkrenare me një kokë dhie të egër (ajo dhia); së dyti, në mënyrë të figurshme, mund të themi se, ashtu si mbreti Rama i Ajodhisë, çmendurisht i dashuruar pas së shoqes Sita, u nis ta gjente atë, Rama i Bashkisë, çmendurisht i dashuruar pas pushtetit jo vetëm vendor, por sidomos edhe ekzekutiv, u nis ta rrëmbente atë “me çdo mjet e me çdo çmim” (të paktën sipas shprehjes së zëdhënëses Imeraj) i shoqëruar nga një ushtri elektorale e konsiderueshme, në radhët e së cilës duhet të ketë pasur patjetër edhe majmunë, si në çdo ushtri elektorale në botën tonë moderne; së treti – dhe pikërisht këtu ndërpritet çdo analogji –, ndryshe nga ç’i ndodhi mbretit Rama të Ajodhisë, mbreti Rama i Bashkisë, edhe pse zhvilloi një betejë të stërmadhe, e humbi atë duke e braktisur të dashurën e tij, pushtetin ekzekutiv, në duart e mbretit (demon për të) Berisha. Ndonjë kureshtar mund edhe të pyesë se kush ishte Hanumani socialist që drejtoi, sigurisht nën urdhrat e Ramës, betejën elektorale të 28 qershorit. I paaftë për të dhënë një përgjigje të saktë e të besueshme, do t’i lutesha këtij lloj kureshtari t’i drejtohej vetë kryepartiakut socialist. Veçse nuk më ngjan e pamundur që Hanumani socialist të ketë qenë një ekip i tërë majmunesk.
Nga ana tjetër, duke vazhduar rrëmimin tim në të njëjtën enciklopedi, zbulova se emri “Rama” ose “Ramashandra” u është dhënë gjithë mbretërve të Tailandës që nga fundi i shekullit XVII dhe se, të paktën deri në fund të shekullit XX, mbreti i këtij vendi mbante emrin Rama IX. Nëse Rama ynë do të kishte fituar zgjedhjet e 28 qershorit dhe do të kishte marrë drejtimin e ekzekutivit, personalisht apo nëpërmjet partisë së tij, do të mund të konsiderohej si Rama I, të paktën sa për t’i bërë karshillëk Zogut I, ish-mbretit të shqiptarëve. Këtë ide ma përforcoi në çast vazhdimi i shfletimit të të njëjtit vëllim të enciklopedisë Bordas pikërisht te fjala “Ramses”, emër që kanë mbajtur njëmbëdhjetë faraonë të Egjiptit të lashtë, nga të cilët më i famshmi mbetet Ramses II. Gjatë sundimit të tij, u kryen në Egjipt shumë ndërtime, mes të cilave edhe ai i tempullit të Abu-Simbelit, ku vizitori mund të kundrojë, i mahnitur, shtatoret monumentale të këtij faraoni. Njëra ndër analogjitë midis Ramsesit II, faraon tiranik, dhe Ramës sonë, kandidat tiranas për faraon, është pa dyshim vëllim i ndërtimeve të kryera gjatë mbretërimit të tyre, ndonëse jo me të njëjtat mjete dhe aspak për të njëjtat qëllime.
Sigurisht, rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit e ndërpreu (por ndoshta jo përgjithmonë) realizimin e ëndrrës faraonike të Ramës sonë për pushtet. Tani pritet mbajtja e Kongresit të Partisë Socialiste në fund të gushtit për të përcaktuar se ç’qëndrim do të mbajë ajo ndaj rezultatit të zgjedhjeve në fjalë, a do të marrë ose jo pjesë në Kuvend, si edhe nëse Rama do të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë. Gjithsesi, meqë krahasova Ramën me Ramsesin II, më erdhi edhe një ide të cilën nuk dua t’ia fsheh lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm. Partia Socialiste e Shqipërisë, e rikonstruktuar dhe e udhëhequr nga kryetari Rama, më ngjason me një piramidë hijerëndë, tamam si piramidat e Egjiptit, por kjo analogji nuk shkon më larg sepse, ndërsa faraonët mbretëronin jashtë piramidave dhe varroseshin brenda tyre, Edi Rama kërkon të mbretërojë brenda piramidës së tij partiake, pa arritur të mbretërojë qoftë edhe një ditë të vetme, personalisht apo nëpërmjet partisë së tij, jashtë saj, d.m.th. në piramidën shtetërore. “Le roi est mort, vive le roi!”, siç do të thoshte frëngu, ose, në rastin konkret, “Faraoni vdiq, rroftë faraoni!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›