E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, kush do ta mundë pas kësaj?

Lorenc Rabeta 

Për të gjithë ata që mendonin dhe, veçanërisht të tjerët që shpresonin jo pa një lloj naiviteti, se zgjedhjet e sapokryera qenë mundimi i fundit politik i liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, të enjten e para tri javëve morën përgjigjen përfundimtare: kryeministri aktual i vendit, post që me shumë gjasa do ta mbajë edhe për katër vitet e ardhshme,  as nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga politika Përkundrazi, u tha të gjithë atyre që e kishin ëndërruar apo shpresuar këtë gjë se jo vetëm nuk e kishte kryer ciklin politik, por se ai është vetë e ardhmja e politikës shqiptare.
Nga retorika që përdori gjatë emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, la të kuptohej qartë se nga pushteti nuk kishte ndërmend të shkëputej me vullnetin e vet dhe se duhej të dilte dikush në gjendje ta detyronte të largohej. Madje, si për ta nënvizuar edhe më tej këtë qëndrim, thuajse nisi që atë mbrëmje, pa dalë ende rezultati zyrtar i zgjedhjeve të sapopërfunduara, betejën e ardhshme elektorale kundër atij që me sa duket e percepton si individin që do t’i verë përballë Partia Socialiste gjatë betejës së ardhshme elektorale: Ben Blushit (dhe duhet nënvizuar se lideri demokrat zor se gabon në perceptimet politike).
Gjë që duhet t’i vërë kundërshtarët tij automatikisht dhe jo pa motiv përpara pyetjes, a do arrijë opozita të prodhojë një lider që të mund të përballet me uraganin politik Sali Berisha? Dhe kësaj here i duhet t’i shtrydhë mirë burimet e saj njerëzore, duke parë që në këta 20 vite Berisha ka nxjerrë jashtë loje çdo të përzgjedhur të Partisë Socialiste. Pasi në fund të fundit, nëse për këtë forcë politike ka pasur një rast të favorshëm për të triumfuar ndaj Sali Berishës, qenë pikërisht këto zgjedhje - duhet të pranojmë se në vitin ‘97 nuk qe Partia Socialiste ajo që triumfoi mbi Presidentin Berisha, por qe ai që rrëzoi vetveten.
Zor të gjendet një moment tjetër në të cilin kreu i Partisë Demokratike të ketë qenë më vulnerabël se në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit; gjatë këtij legjislacioni i shpërtheu bomba e Gërdecit, ku nën akuza të drejtpërdrejta u përfshi personalisht bashkë me familjarët e tij; iu desh të bënte një betejë dhëmbë për dhëmbë me Prokurorinë për shkak të akuzave për korrupsion në rrugën Durrës-Kukës; dy ministra të qeverisë së tij janë ende në gjykatë nën akuza për korrupsion; i shpërtheu skandali Fazlliç; skandali Pango, dosja e të cilit kaloi para pak ditësh nga Prokuroria në Gjykatën e Shkallës së Parë. Seri goditjesh që do kishin thyer ndoshta çdo lider tjetër politik, por jo Sali Berishën.
Në rast se opozita shqiptare nuk arriti të triumfojë në një moment kaq delikat politik të kundërshtarit, cilat janë shpresat që do arrijë ta bëjë këtë më pas, sidomos duke pasur parasysh që kryeministri Berisha ka treguar se zor të pengohet dy herë tek i njëjti gur. Së pari, i duhet medoemos të kalojë në sitë personelin e saj e të gjejë një individ që së paku të ketë elasticitetin politik të numrit një të Partisë Demokratike. Sepse është pikërisht ky elasticitet që e ka shpëtuar edhe në ato çaste kur dukej pa asnjë rrugëdalje, siç i dha edhe kësaj here mundësinë për të qëndruar edhe katër vite të tjera në qeveri falë një koalicioni që do të rezultonte i pabesueshëm vetëm pak ditë më parë.
Fatos Nano më parë dhe Edi Rama tani treguan se nuk e zotërojnë këtë karakteristikë kaq të domosdoshme në politikë. Asnjëri prej tyre nuk qe në gjendje t’u linte një dritare hapur kundërshtarëve politikë brenda së majtës, krejt e kundërta nga kreu i Partisë Demokratike, i cili pavarësisht gjithçkaje, duket sikur nuk e thotë kurrë “jo”-në përfundimtare, as për kundërshtarët brenda së djathtës dha as për ata të së majtës. Do të ishte “jo”-ja përfundimtare e Edi Ramës ajo që i dha Ilir Metës të drejtën morale për t’iu përgjigjur pozitivisht ofertës për koalicion nga ana e Partisë Demokratike.
Dhe së dyti, ka ardhur ndoshta çasti që e majta t’i bëjë zgjedhjet për liderin që do ta përfaqësojë në betejat e ardhshme duke u bazuar te standardet që përdor politika e sotme botërore, të cilat i japin përparësi absolute statusit e integritetit personal e sidomos familjar të kandidatit. Toni Bler, Gordon Braun, Deivid Kamerun, Barak Obama, Sara Peilin, pasqyrohen të tërë si familjarë të përkryer, Sarkozi u nda nga bashkëshortja vetëm pak javë pasi kishte fituar zgjedhjet presidenciale, Bill Klinton shkoi në prag të rrëzimit pas skandalit Levinski dhe u fal nga amerikanët vetëm pasi një gjë të tillë e bëri më parë e shoqja dhe bija e tij. Kjo, pasi familja përbën një vlerë më vete në politikë, e cila, pavarësisht karakteristikave të individit, perceptohet shumë fort nga opinioni publik. Gjë që mesa duket ka qenë edhe një prej pikave të forta të liderit demokrat në raport me kundërshtarët e tij gjatë këtyre viteve. Rënia e vërtetë e popullaritetit të Nanos nisi pas divorcit dhe martesës së re, ndërkohë që kemi dëgjuar shumë shpesh të artikulohet nga të djathtët fakti që Edi Rama nuk ka një familje. Këta elementë marrin një ngarkesë shumë më të rëndësishme në një çast kur së majtës në tërësi i është shkëputur një pjesë organike e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim. Sot pakkush është në gjendje të parashikojë si do të pozicionohet në zgjedhjet e ardhshme kjo forcë politike, gjë që e largon edhe më shumë perspektivën e një fitoreje të së majtës. Cilido qoftë lideri i ardhshëm i Partisë Socialiste, do të jetë përpara një domosdoshmërie të cilën nuk e kanë pasur paraardhësit e tij, kthimin e LSI-së brenda spektrit të majtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›