E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petulla me ujë!

Inida Gjata ZHAKU 

Të jesh gay në Shqipëri, nuk do të thotë më   të ngelësh pa martuar! Më në fund edhe kjo e drejtë ka gjasa t’u jepet shqiptarëve. Sepse, kish rritur ndjeshëm numrin e martesave të dështuara, të sforcuara, shkatërruese, mungesa e të drejtës për të qenë gay. Dhe doktori këto punët e zemrës  i diagnostikon me lehtësi, fatmirësisht. Sepse bëhet fjalë për një kardiolog.  Zbuluesi i njërës prej sëmundjeve më vetëshkatërruese për një shoqëri, do të hyjë në historinë e këtij kombi si ai që do të zgjidhë martesat e dështuara dhe ai që do të lidhë martesa të suksesshme.  Ne të gjithë do të jemi në pritje të festës kombëtare të radhës, ku të parët gay do të lidhin martesë bashkë, e ku në vend të punonjësit të bashkisë, do të jetë doktori, i shoqëruar nga mijëra qindra kamera e njerëz në dëshmimin e kësaj ceremonie. Më në fund, femrat që martohen me meshkuj vetëm sepse duhet të martohen një ditë, do të kenë lirinë të martohen me femra nëse dëshirojnë. Njëlloj do të jenë të martuara. Ose dy meshkuj, nëse dashurohen, mund të lidhin martesë me njëri-tjetrin e t’i dhurojnë farefisit një dasmë për ta kujtuar gjithë jetën.  Dhe për vjetët e ardhshme ne të gjithë do të dëshmojmë jetët e lumtura të homoseksualëve shqiptarë.  Shumë mirë. Më në fund. Të gjithë do të qartësohen mbi preferencat seksuale dhe do të piketojnë burrin apo gruan që duan. Gratë do të nisin të gjuajnë njëra-tjetrën nëpër floktore e thonjtore, nëpër dyqane e ushqimore, nëpër çdo ambient publik. Do nisin të qerasin njëra-tjetrën me nga një krehje apo me ndonjë dorë, do të ftohen për kafe e nëpër pazare etj… Ndërsa burrat, nëpër fusha minifutbolli, palestër, klube a punë. Do të nisin të shkëmbejnë më shumë topa me njëri-tjetrin, do të ndihmojnë me veglat e palestrës njëri–tjetrin, do të hyjnë në muhabet si rastësisht me njëri-tjetrin duke pirë ndonjë konjak, do të shkëmbejnë sa më shpesh materiale pune me njëri-tjetrin. Më në fund një dritë shprese për këtë popull. Vëmendja që i duhet kushtuar këtij fenomeni meriton të jetë maksimale nga e gjithë shoqëria, sepse kjo është emancipuese. Vetëm se kjo është një shoqëri problematike dhe nuk e nxit apo pengon ligji.  Vërtet ekzistenca e një ligji të tillë do ta ndihmonte Shqipërinë të shkonte përpara, por duhet bombarduar më parë çdo paragjykim, çdo kompleks, çdo padije, çdo keqinformim që rron e trashëgohet në tru të shqiptarëve. Sepse, jam dakord me Doktorin për propozimin e këtij ligji, në Shqipëri ka shumë gay. Një nga lojërat folklorike shqiptare është Raqi Raqi KiKiKo, sa gishta janë këto. Në këtë lojë, burrat grumbullohen me njëri-tjetrin, dhe ca bëhen kaluçë e ca të tjerë kalorës, të cilët pasi rendin t’ia hipin kurrizit të atyre poshtë nxjerrin gishta lart dhe bërtasin: Raqi Raqi Kikiko, sa gishta janë këto? Dhe ai kaluç, me sytë përdhe duhet ta gjejë sa gishta ka ngritur ai sipër. Por edhe femrat në folklorin shqiptar shumë rituale që kryejnë vetëm në prani të njëra-tjetrës i kanë të pasura me elemente erotike. Ndaj dhe besoj se një ligjërim i homoseksualëve do t’i çlironte shumë shqiptarët. Por, a nuk u duhet më parë mësuar diçka këtij populli?! A nuk u duhet mësuar njëherë të zbatojnë ligjin, e më pas të shtohen ligje gjithmonë e më perëndimore?! Shqipërisë i mungojnë tashmë vetëm 2 ligje perëndimore pa miratuar, ligjërimi i bordellove dhe i tregtisë së lëndëve narkotike. Me ligjet që ka, ky vend me siguri do të kish hyrë më parë në Europë. E keqja është se askush dhe asgjë në Shqipëri nuk respektohet dhe respekton. Unë personalisht mendoj se qenia humane në kuptimin më thelbësor të saj, është biseksuale, kështu që më lumturon kjo shenjë demokracie nga ana e doktorit, por gjithashtu mendoj se individi shqiptar e ka shtresëzuar aq shumë thelbin, saqë e ka shndërruar në një lëmsh dhjamor. Prandaj dhe mendoj se ky ligj pa shoqërimin me informacion do të dështonte dhe do të rrezikonte të kthehej në një makth të vërtetë. Komunikimi i hapur rreth këtij fenomeni nga ana e sa më shumë institucioneve do t’ju ndihmonte të shihnit rezultat të shpejtë nga ilaçi me të cilin po përpiqeni të shëroni sëmundjen e këtij populli. Dëgjova se përfaqësuesit e institucioneve fetare kishin protestuar kundër këtij ligji. Nuk e prisja që institucionet fetare të protestonin, sepse nuk kanë protestuar kurrë deri tani, për ndonjë bëmë të qeverisë. As pas Gërdecave, as pas Ditëve të Zive nuk i kam dëgjuar të protestojnë. Mbase, këto institucione në Shqipëri mbulojnë vetëm çështjet e martesave. Kontrollojnë moralin e lartë të çifteve në krevat. Habitem, sepse unë, po të kisha qenë përfaqësuesi i ndonjë institucioni me të ardhura të larta dhe me virtyte të shenjta, do të kisha ndërtuar shkolla, spitale e qendra sociale në çdo cep të Shqipërisë. Pa pritur nga askush të vijë e të më lypë në derë. Do të kisha bërë çfarë mungon. Do të kisha shpënë përpara çfarë ka ngecur. Mirëpo unë nuk jam as institucion, as e pasur e as me virtyte të shenjta. Jam thjeshtë një njeri si të gjithë të tjerët, kështu që këto të mijat janë petulla me ujë, në gjuhën e folklorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›