E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marsi ka ujë të njelmët të rrjedhshëm?

Nga Express më 05 gusht 2011 në ora 11:23

Shkencëtarët kanë gjetur fakte të reja për mundësinë e rrjedhave të ujit të njelmët në Mars, është bërë e ditur të enjten në një konferencë të Agjencisë amerikane për hapësirë NASA.

Autori kryesor i studimit të revistës “Science”, Alfred MekIvën, ka thënë se ekipi i tij ka observuar Marsin duke përdorur kamera HiRISE në bordin e NASA-s dhe ka identifikuar disa pamje të shpateve të planetit që duken se zbehen në dimër dhe rikthehen në pranverë.

Këto flukse ndodhin pranë ekuatorit të Marsit në hemisferën e tij jugore, ku temperaturat do të jenë të përshtatshme për ujë të lëngshëm. Pasi që Marsi është më larg nga Dielli se sa Toka, në ekuator temperaturat e verës mund të arrijnë në rreth 20 gradë Celsius, por natën ato zbresin në minus 60 gradë.

Shkencëtarët thonë se uji pritet të jetë i njelmët, sepse studimi i mëparshëm i planetit ka treguar se sipërfaqja e tij është e kripur, kështu që çdo ujë që rrjedh nën sipërfaqe do të jetë kripur.

“Shtatë vende të tilla në planet janë konfirmuar”, ka thënë MekIvën.

Sipas tij, studimi megjithatë nuk ofron prova për ekzistimin e ujit dhe se nevojiten eksperimente laboratorike në Tokë për të konfirmuar apo përgënjeshtruar një gjë të tillë.

MekIvën thotë se uji mund të jetë më i lartë në dendësi dhe viskozitet se ajo që përdorin njerëzit në Tokë, deri në pikën që mund të duket si shurup.

“Çfarë do të thotë kjo për jetën në Mars? Nëse Marsi ka ujë të rrjedhshëm si një lëng në kohë të ngrohta dhe ngrin në të tjerët, organizmat që mund të jetojnë atje mund të shkojnë në një gjendje pushimi gjatë dimrit”, ka thënë Liza Pret, profesoreshë e shkencave gjeologjike në Universitetin e Indianës, Blumington, e cila megjithatë e pranon se kjo ide mund të jetë një spekulim i pastër.

“Ky është shansi ynë i parë për të parë një mjedis në Mars që mund të lejojnë shprehjen e një procesi aktiv biologjik, nëse aktualisht ka jetë në Mars”, ka thënë Pret.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›