Marsi, muaji higjienës, tuberkulozit dhe aktivitetit fizik
Marsi është muaji i sensibilizimit për higjienën, tuberkulozin dhe aktivitetin fizik, përcaktuar në Udhëzuesin e Promocionit të Shëndetit, që është hartuar dhe botuar nga Instituti Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë. Në këtë kuadër, ISHP apelon mbi sensibilizimin për mbrojtjen nga tuberkulozi, një sëmundje ngjitëse që prek kryesisht mushkëritë, por dhe organet e tjera si truri, mëlçia, veshkat dhe që mund të parandalohet, mjekohet dhe shërohet plotësisht.
Sipas ISHP, sëmundja mund të parandalohet duke vaksinuar fëmijët, zbatuar rregullat e higjienës së shëndetshme, duke kontrolluar dhe mjekuar personat që jetojnë dhe punojnë pranë të sëmurëve, diagnostikimi i hershëm, mjekimi i mirë i pacientëve me TBC të mushkërive. Duke qenë se muaji mars është dhe muaji i aktivitetit fizik ISHP apelon për një vëmendje të veçantë edhe në këtë drejtim. "Zhvillimi i sëmundjeve kronike si diabeti tip 2, sëmundje kardio-vaskulare, sëmundje tumorale, apo mendore është më pak i mundshëm tek njerëzit që ushtrojnë rregullisht aktivitet fizik të moderuar", pohojnë burime zyrtare nga ISPSH. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon së paku 30 minuta aktivitet fizik të moderuar gjatë 5 ditëve të javës. Kjo do të reduktojë rrezikun nga sëmundjet e zemrës, obeziteti, diabeti deri në 50% dhe do të zvogëlojë sëmundjen hypertensive e pasojat psikologjike të jetës sedentare si stresi, ankthi, depresioni etj. Aktiviteti fizik i moderuar përfshin, ecjen e shpejte, vallëzim, punë në kopsht e në shtëpi, lojëra dhe sporte me fëmijë, mbajtja dhe lëvizja e ngarkesave të moderuara më pak se 20 kg. Udhëzuesi i Promocionit të Shëndetit është një model i planifikimit të ngjarjeve shëndetësore. Ai ka me qëllim sinkronizimin e ngjarjeve shëndetësore me jehonë kombëtare dhe ndërkombëtare, sensibilizimin e publikut lidhur me ditë, apo javë të caktuara botërore dhe kombëtare, për shëndetin dhe mbrojtjen e tij, etj.