Martanesh, e zë poshtë masivi shkëmbor, vdes minatori
Shënohet viktima e radhës së galerive. Një minator 61-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një masivi shkëmbor në minierën e Martaneshit.
Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme, teksa minatori Gani Doçi ishte duke punuar në një galeri kromi. Doçi u nxorr nga kolegët në sipërfaqe, por nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve të marra nga shembja e masivit shkëmbor.
Doçi ka ndërruar jetë rrugës teksa transportohej për në Spitalin ushtarak në Tiranë. Policia po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe nëse janë respektuar kushtet e sigurisë teknike. Ndërkohë Reparti i Inspektim Shpëtimit të Minierave, RISHM, ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të vdekjes së minatorit Gani Doçi. Sipas një njoftimi të ministrisë së Ekonomisë, në çastin kur ka ndodhur ngjarja, një bllok minerali është shkëputur dhe e ka goditur 61-vjeçarin në këmbë, ndërkohë që ai ishte duke punuar në galeri.
“Me të marrë vesh lajmin, në vendngjarje janë nisur me urgjencë inspektorët e RISHM-it. Inspektorët e RISHM-it do të ndërmarrin një hetim të thellë me qëllim zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është në ndjekje të plotë të kësaj situate. Në të njëjtën kohë, METE po bashkëpunon ngushtësisht me Pushtetin Vendor dhe me Policinë e Shtetit”, thuhet në njoftimin e METE-s.
10 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Martanesh, e zë poshtë masivi shkëmbor, vdes minatori burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip