Operacion antidrogë në Karaburun, sekuestrohet 1 ton kanabis
Sekuestrohet 1 ton lënde narkotike "Cannabis sattiva" në gadishullin e Karaburunit. Nga Strukturat e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë është marrë informacion në rrugë operative se në një sasi e madhe lëndësh narkotike gjendej në brigjet e gadishullit të Karaburunit dhe se do të trafikohej në drejtim të Italisë. Menjëherë nga shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë është koordinuar puna me Repartin e Forcave Speciale Delta Forcë dhe është organizuar një operacion i përbashkët antidrogë. Falë një pune intensive me shërbime të alternuara tokësore dhe detare mbas disa orë kërkimesh është bërë e mundur që rreth 3 km larg Gjirit të "Shën Vasilit" në gadishullin e Karaburunit të gjendej një sasi prej rreth 1 ton lënde narkotike "Cannabis sattiva".Në bashkëpunim me organin e Prokurorisë po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.