E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët në alarm, uji vazhdon të rrjedhë

Mallakastër, autoritetet shëndetësore rajonale: Virusi në ujë, i njëjtë me atë të Malit të Zi

“Virusi që dyshohet se ka prekur ujin e rrethit të Mallakastrës është i njëjtë me atë që shkaktoi epidemi të rëndë dy vjet më parë në Malin e Zi”. Kjo ka qenë deklarata për gazetën “Shqip” nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik Ballsh, Shahin Zaçe. “Dyshojmë për një gjë të tillë, por rezulton se virusi prezent në Ballsh është i njëjtë me atë që shkaktoi epidemi të rëndë dy vjet më parë në shtetin fqinj”, sqaron kreu i Drejtorisë së Shëndetit Publik. Sipas tij, hetimi epidemiologjik mbi këtë çështje vazhdon. Por, pavarësisht kësaj, ende specialistët rajonalë nuk kanë një përgjigje zyrtare dhe të plotë lidhur me ngjarjen.

“Tashmë me çështjen e analizave po merret Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik në Fier, si dhe Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë. Ne nuk jemi njoftuar për përgjigjet zyrtare. Ajo që po kryhet nga drejtoria jonë lidhet me menaxhimin e situatës së rëndë. Jemi ende duke marrë mostra për analiza jo vetëm nga uji, por edhe nga pothuaj të gjithë pacientët që i drejtohen spitalit”, ka thënë drejtori i Shëndetit Publik Ballsh, Shahin Zaçe. Drejtoria e Shëndetit Publik ka kryer njoftimet për komunitetin lidhur me konsumin e ujit. Banorët nuk duhet ta konsumojnë ujin, por nuk ka pasur asnjë ndërprerje të furnizimit në rrjetin e Ujësjellësit.

“Në rast se do të ndërprisnim ujin, atëherë epidemia do të rëndohej. Duke përcaktuar se uji është shkaku kryesor i epidemisë së shkaktuar si pasojë e bashkëveprimit të një bakteri me një virus kemi realizuar njoftimin përkatës”, theksoi Zaçe. Situata mbetet alarmante për banorët, të cilët kanë vijuar të kërkojnë ndihmë në spitalin e Ballshit, edhe pse numri i personave të infektuar ka ardhur në ulje. Sipas pacientëve, shumë prej banorëve nuk e konsumojnë ujin për të pirë, por sigurisht e përdorin për pastrimin e enëve të kuzhinës, si dhe për të gatuar.

Nurie Ismali, banore e qytetit të Ballshit, tregon se paraditen e së enjtes i është drejtuar spitalit, pasi kishte këputje të trupit dhe shqetësime gastrointestinale. “Unë jam e gjashta në familje që jam prekur prej virusit. është i tmerrshëm. Nuk kam pirë ujë që nga e hëna, por enët dhe zarzavatet i kam larë me të. Uji nuk është ndërprerë, ndryshe nga më parë që na vinte me orar”, ka thënë Nurie Ismali.

Besim Shehaj, një tjetër banor i qytetit të Ballshit, tregon se ujin e ka zier e më pas e ka pirë, prandaj është i habitur se si është prekur nga shpërthimi i infeksionit.

Ndërkohë që Namik Malaj nga Ngraçani tregon se në banesën e tij e siguron ujin nga pusi që ka shpuar, por një ditë më parë ka qenë në Ballsh. “Piva një kafe dhe e shoqërova me një gotë ujë, disa orë më vonë m’u shfaqën simptomat”, ka thënë Malaj.

Emanuela Myftaraj, infermiere në spitalin e Ballshit, shpjegon se brenda natës janë paraqitur 28 pacientë të prekur nga infeksioni, ndërkohë që deri në mesditë numri ka shkuar në 40.

Në lagjen “Bylis”, ose siç njihet ndryshe Ballshi i Vjetër, rrjeti i ujësjellësit është i amortizuar dhe në shumë vende bashkohet me ujërat e zeza.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›