Të gjithë lindim bujarë, por kjo vlerë zgjat deri në moshën 2-vjeçare
Jemi engjëj të bujarisë, apo djaj të egoizmit? Si e shohim të ardhmen tonë? çfarë na dallon nga kafshët e tjera? Këto janë pyetje të vjetra, që simbolizojnë një sfidë të vështirë për të gjithë ne. Në librin e tij, psikologu amerikan kërkon përgjigje të reja, duke trajtuar një temë që në pamje të parë duket shumë e ndërlikuar, duke u nisur nga një vështrim i thjeshtë dhe i përditshëm: natyrisht që çdo fëmijë është i shoqërueshëm dhe i gatshëm të ndihmojë të tjerët, por para se prindërit ta mësojnë të njohë atë hapësirë të përcaktuar dhe homogjene që zakonisht jemi mësuar ta quajmë edukim të mirë.
Bujarë nga prirja, altruistë nga instinkti. Janë më të gatshëm të ndihmojnë sesa të tradhtojnë. Fëmijët e vegjël janë krijuar në këtë mënyrë për të qenë në vitin e parë dhe të dytë të jetës, me një prirje natyrore për të ndihmuar të tjerët, një ndjenjë e pakonsumuar nga kushtet sociale dhe kulturore, e paprekur nga dëshirat dhe kërcënimet e prindërve. Vetëm pas kësaj, ky instinkt i lindur ndryshon. Në këtë fazë humbet edhe pafajësia. Ndërkohë kur rriten bëhen gjysmë engjëj dhe gjysmë djaj.
Libri i fundit i Michael Tomasello titullohet “Altruistë të lindur – Pse bashkëpunojmë që në fëmijëri”. Psikologu evolucionist amerikan konsiderohet një pionier i patrembur nga kolegët e tij. Tomasello i ilustron me pedanteri dhe eksperimente laboratorike sjelljen e fëmijëve në fazën e parë të jetës, duke arritur rezultate befasuese, sipas atyre që e gjykojnë, sepse tregon, duke i habitur edhe prindërit, që “këlyshët e njeriut”, në ndryshim nga ato të majmunit, duken më të gatshëm për të lënë mënjanë përkatësinë individuale dhe të ndihmojnë bujarisht të tjerët. Në librin e tij, Tomasello nuk na shpjegon vetëm mekanizmat psikologjikë që drejtojnë instancat e para të bashkëpunimit, por gjithashtu na bën të kuptojmë format e mrekullueshme të organizimit dhe qytetërimet që karakterizojnë ekzistencën e njeriut. Bota në të cilën jetojmë, normat kulturore, ligjet, institucionet: asnjëra prej këtyre nuk do të ekzistonte pa tolerancën dhe besimin, që natyrisht janë e vetmja përparësi e madhe e evolucionit të qenies njerëzore.
“Jam dakord me Rousseau, filozofin i cili i konsideron qeniet njerëzore me natyrë bashkëpunuese dhe tepër të gjendur kur ata kanë nevojë për njëri-tjetrin, por që janë të korruptuar nga shoqëria, edhe pse i shtoj asaj teorie disa kritika: e mbështes faktin që fëmijët tregohen bashkëpunues në shumë situata, por jo në të gjitha, sepse çdo organizëm duhet të ketë edhe pak egoizëm për të mbijetuar”, thotë i bindur psikologu amerikan.
Tomasello ka marrë përsipër nderin e provës. Me eksperimentet e tij dëshiron të tregojë disa gjëra: fëmijët janë në gjendje të japin ndihmë, informacion dhe të bashkëpunojnë, por gjithçka me një indiferencë absolute. Të gjitha foshnjat nga 14 deri në 18 muaj përballen me një të rritur që e shohin për herë të parë. I rrituri përballet praktikisht me një problem të parëndësishëm dhe të vegjlit e ndihmojnë ta zgjidhë, nuk ka rëndësi se për çfarë bëhet fjalë, për të marrë një objektin të cilin e kanë larg, apo për të hapur një dollap kur i rrituri i ka duart e zëna. Nga 22 fëmijë që i janë nënshtruar eksperimentit, 22 prej tyre kanë ofruar ndihmën e tyre, të paktën një herë dhe këtë gjë e kanë bërë menjëherë. Por eksperimenti nuk merr fund këtu. Sipas psikologut, fëmijët kanë një tendencë spontane që të simpatizojnë dikë, i cili është në vështirësi. Ata u solidarizuan me një të rritur, të cilit i ishte grabitur me qëllim diçka personale, për të parë reagimin e të vegjëlve. “Fëmijët e shihnin ‘viktimën’ me një lloj keqardhjeje”, shkruan psikologu. Të vegjlit janë të aftë të ofrojnë informacione të dobishme. Në një eksperiment tjetër, fëmijët i shohim të ndihmojnë një të rritur për të gjetur diçka që i ka humbur. Si në çdo rast, protagonistët kryesorë të eksperimentit japin udhëzime, duke ofruar një formë të veçantë të mbështetjes së tyre, gjë që vetëm “këlyshët e njeriut” dinë ta bëjnë, duke u dhënë të rriturve informacionet që u nevojiten.
Por gjestet e mira dhe heroike të të vegjëlve tanë altruistë janë shtuar. Kjo është e dukshme, por sipas Tomasello-s, qeniet njerëzore nuk janë vetëm engjëj të bashkëpunimit, i bashkojnë forcat edhe për të kryer akte të pahijshme, që në pjesën më të madhe të rasteve pranohen edhe nga pjesëtarët e tjerë të grupit. Ashtu siç bëjnë edhe politikanët, mënyra më e mirë për të motivuar njerëzit është identifikimi i armiqve. Pavarësisht se janë të vegjël, edhe fëmijët e kanë të rrënjosur në vetvete sensin e “unit”.
Deri tani eksperimentet e kryera nga psikologu amerikan kanë treguar rrënjët e altruizmit, ndërkohë që në bazë të kësaj qëndron një tendencë e lindur. Më pas vijnë rregullat dhe institucionet, të gjitha komplikacionet, pak a shumë të nevojshme që ne njohim. Por se në ç’pikë njerëzit e humbasin pafajësinë, e në veçanti fëmijët, sepse ato janë “kaviet” e eksperimentit, Tomasello nuk e shpjegon, sepse kjo pikë nuk është pjesë e studimit. Sipas tij, kjo është një histori tjetër.
#