E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, fëmijët talasemikë mbeten pa gjak

Spitali ka mungesa dhe pret furnizimin me substancën jetike për të sëmurët nga anemia mesdhetare

Qendra e Hemoglobinës dhe e Hematologjisë në Lushnjë, e cila trajton me dhjetëra raste të sëmurë nga talasemia, është në krizë për gjak. Edhe pse alarmi është dhënë prej shumë kohësh, situata aktuale paraqitet kritike.

Mjeku specialist i kësaj qendre, Mehmet Xhindole, pranon se shumë të sëmurë talasemikë nuk kanë arritur të marrin gjak, edhe pse cikli i një transfuzioni u ka ardhur.

Aktualisht në frigoriferët e Punktit të Lushnjës, ku ruhet produkti, rezervat nuk shkojnë në më shumë se 6 flakonë.

Sipas mjekut, përveç të sëmurëve me talasemi që shkojnë në afro 370 të tillë, janë edhe rastet e urgjencës së spitalit civil që kanë nevojë për njësitë e gjakut.

“Jo vetëm talasemikët, por edhe rastet urgjente kërkojnë njësi gjaku. Kemi sugjeruar që për këto raste të kryhen dhurime vullnetare nga familjarët. është me të vërtetë për të ardhur keq”, sqaroi mjeku Mehmet Xhindole.

Duke cilësuar si përgjegjës të rasteve të tilla kolegët e tij në repartet e tjerë të spitalit, mjeku Xhindole pranon se të sëmurët talasemikë nuk kanë marrë gjak për këtë muaj. “Cikli i transfuzionit për një të sëmurë talasemik është 21 ditë. Duhet të pranojmë që ka shumë të tillë që janë zmbrapsur dhe nuk e kanë marrë dot këtë lëndë jetike. Nuk ka justifikim për këtë situatë, por kur nuk ka gjak nuk kemi se çfarë të bëjmë”, theksoi Xhindole. Në Qarkun e Fierit vetëm Kryqi i Kuq dhe punktet e gjakut respektivisht në Lushnjë e Fier janë mobilizuar për sensibilizimin dhe mbledhjeve të njësive të gjakut nga dhurimi vullnetar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›