E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nostalgjia nuk duhet të na pengojë të shohim të ardhmen

Media

Në një intervistë, drejtori ekzekutiv i “Washington Post”, Marcus Brauchli, flet për krizën globale të botës së medias, ardhmërinë e shtypit të shkruar, futjen e “iPad”. Ai argumenton se pavarësisht kësaj krize, gazetaria cilësore ka një të ardhme të shkëlqyer. Dhe, gazeta e tij, është një shembull i lajmit cilësor, duke qenë se ishte e para që denoncoi në vitin 1970 skandalin e Watergate.

Ku i merrni lajmet e para kur çoheni në mëngjes?

Një nga veprimet e para që bëj, sapo hap sytë, është që t’i hedh një sy të shpejtë “BlackBerry”-t tim për të parë se çfarë më ka ardhur gjatë natës. I hedh një sy të shpejtë titujve kryesorë dhe më pas shoh gazetat “Port”, “New York Times”, “Wall Street Journal” dhe më pas shoh edhe të tjerët. Përpiqem që të shoh se cilat janë lajmet që na kanë humbur.

Ju jeni drejtori ekzekutiv dhe nuk e dini se çfarë ka botuar një natë më parë gazeta juaj?

Dhoma jonë e lajmeve nuk është një dhomë e zakonshme gazete, por tashmë ajo qëndron e hapur dhe në funksionim të plotë 24 orë. Kjo nënkupton se në mëngjes, sigurisht që do të ketë lajme të reja.

Pra edhe ju, si pjesa më e madhe e njerëzve në botë, e merrni informacionin nga burime të ndryshme. A nuk ju bën nervoz një ritual i tillë?

Që prej disa vitesh, mënyra se si njerëzit e konsumojnë lajmin ka ndryshuar shumë. Ne e dimë tashmë se shumë lexues marrin lajme nga burime të ndryshme informacioni. Ata lexojnë disa artikuj herët në mëngjes, por më pas mund të ulen të lexojnë në mënyrë më të thellë dhe të zgjeruar artikujt që u pëlqejnë në darkë, kur kanë më shumë kohë në dispozicion. Në këto rrethana ka ndryshuar tërësisht mënyra e mbushjes së gazetës. Njerëzit nuk janë më të interesuar për lajmin e një dite më parë, të cilin e kanë parë dhe konsumuar, por për thellime, brendi dhe gjëra që janë ekskluzive. Ata kanë nevojë për më shumë kontekste, analiza, komente dhe perspektiva. Ne jemi shumë të përkushtuar pikërisht ndaj thellësisë dhe bekgraundit të një ngjarjeje dhe mbi të gjitha hetimit të hollësishëm të një fenomeni, sepse e dimë se nëse u ofrojmë lexuesve diçka që nuk e kanë gazetat e tjera, atëherë ata do të vijnë sërish te ne. është bërë shumë e vështirë që të mbushësh në mënyrë cilësore dhe pa shumë lajme një gazetë, qoftë edhe një gazetë të përditshme. Në këtë mori të madhe informacioni, njerëzit janë në kërkim të organit, apo institucionit që i besojnë më shumë.

Aktualisht më të rinjtë janë të mendimit se nëse do të ketë me të vërtetë një lajm dite të rëndësishëm, do ta gjejnë te faqja e tyre në “Facebook” apo “Twitter”.

Së fundi, ne kemi lançuar një aplikim të ri te “Facebook” që i jep mundësinë anëtarëve të “Facebook” të identifikojnë menjëherë të gjitha shkrimet dhe artikujt e gazetës sonë që pëlqejnë, apo do të donin që të ndanin me të tjerët. Më pas, kur futen në faqen e gazetës, shohin se cilët nga shokët e rrjetit të tyre i kanë pëlqyer këta artikuj. Në thelb, po krijojmë një lloj komuniteti të lexuesve të gazetës sonë brenda “Facebook” dhe kemi parë ndërkohë një rritje të numrit të lexuesve. Nëntorin e kaluar, ne lançuam një websajt me lajme lokale, duke u mundësuar përdoruesve të ndryshëm të internetit që të informoheshin me hollësi me lajmet e zonës së tyre. Kjo na ndihmoi shumë, edhe pse këto kohë tirazhi i gazetës së printuar është më i ulët nga zakonisht.

Por, ndërkohë, asnjë nga këto hapa nuk është shndërruar në një përfitim konkret. Vitin e kaluar, humbja totale e gazetës, sipas shifrave të publikuara nga ju, ishte 163 milionë dollarë. Vjet, ndërsa po përpiqeshit që të gjenit mënyra për të joshur tregun, ju madje iu ofruat lobistëve të ndryshëm që të sponsorizonin darka private me gazetarë të gazetës dhe politikanë në shtëpinë e botueses suaj, Katherine Weymouth.

Po, ne e bëmë një gjë të tillë dhe më pas u penduam e kësisoj vendosëm që t’i japim fund projektit. Por jam i mendimit se ka një mijë e një mënyra për të gjetur të ardhura për çdo institucion që merret me lajmin dhe shitjen e tij. Ajo çka ne po bëjmë është të vrasim mendjen që të gjejmë mënyra për të bërë për vete sa më shumë audiencë. Mendoj se gazeta jonë duhet të përfshihet edhe në organizimin e konferencave dhe ngjarjeve të ndryshme.

A mendoni se ishte një gabim që nuk u vendosën kushtet e pagesës për marrjen e lajmeve “online”?

është shumë e vështirë që të japësh një mendim të saktë, apo të gjykosh. Unë nuk kam dyshim se në një mënyrë, apo në një tjetër, njerëzit do të paguanin për përmbajtjen e një sajti lajmesh. Kjo sepse ata tashmë e bëjnë një gjë të tillë përmes blerjes së gazetës. Ajo që ende nuk ia kemi dalë që të realizojmë është modeli i saktë dhe i duhur i një gazete “online”.

çfarë mendoni se do të ndodhte nëse të gjitha organizatat e lajmeve do të fillonin që të vendosnin pagesa për marrjen e lajmeve në internet në të njëjtën kohë?

Mendoj se mund të funksiononte nëse një gjë e tillë do të arrihej. Por sinqerisht është shumë e vështirë që të shoh një koordinim të përmasave të tilla mes organizatave të një vendi të vetëm, për të mos folur për ato të botës mbarë. Nëse të gjithë konkurrentët e mi do të donin që të vendosnin pagesën për lajmet e tyre, atëherë do ta prishja i pari këtë tërësi, duke menduar se në këtë situatë, gjëja më e mirë që mund të bëj është që të ofroj lajmet falas.

Atëherë në këto rrethana, cilat gjëra ju bëjnë ende optimist për të ardhmen e organizatave të lajmeve e mbi të gjitha për arritjen e një akordimi të vendosjes së pagesës?

Njerëzit paguajnë gjithnjë e më tepër për informacionin. Ky është fakt. Unë nuk e di se si do të arrijmë që ta mbledhim atë sasi parash. Një nga përgjigjet është përmes reklamave që janë edhe burimi më i madh i fitimeve për një gazetë, apo një revistë. Na duhet një platformë shumë komode “online” dhe e qatë në mënyrë që të fillojmë pagesën jo për të gjithë përmbajtjen e gazetës, por për një pjesë të saj të paktën.
Fillimisht me daljen e “iPad” pati iluzion se bota e medias “online” do të ndryshonte.

Sot, të pakët janë ata njerëz të mediave që mendojnë se “iPad” do të ishte zgjidhja e këtyre problemeve. Po përse gazeta juaj nuk ka ende një format për “iPad”?

Kemi qenë pak të ngadalshëm në këtë pikë, por njëherazi do të donim që të bënin veprimin e duhur në kohën e duhur, në mënyrë që të jemi të sigurt që produkti ynë të jetë ndryshe në treg dhe të bëjë diferencën e të përfitojë nga të gjitha avantazhet e “iPad”.

Duket sikur ju nuk besoni se “iPad” apo lexues të tjerë elektronikë do të luajnë rol shumë të rëndësishëm në botën e medias.

Mendoj se produkti “iPad” ka shumë mundësi që të jetë versioni përfundimtar i asaj çka duhet për të paraqitur një rend gazete në mënyrën më të mirë të mundshme. Por kjo vetëm për momentin. Aktualisht jemi duke studiuar mënyrën e ndryshimit të konsumit që i bëjnë lajmeve njerëzit, pra ndryshimit të zakoneve të tyre. Nuk mendoj se “iPad” do t’ia dalë që të zëvendësojë celularët apo gazetat. Sfida me të cilën po përballemi sot është ajo që na bën që të prodhojmë produkte për çdo platformë të re që del.

Ju jeni për nga natyra dhe mendimet shumë optimist për të ardhmen, po një pjesë e madhe e kolegëve tuaj nuk janë. Sipas një studimi të fundit të Pew më shumë se gjysma e gazetarëve amerikanë mendojnë që organizata në të cilën punojnë nuk do të ekzistojë pas 10 vitesh. Kriza e medias është një krizë globale, po atëherë si shpjegohet se shtypi amerikan duket se është goditur më rëndë?

Unë nuk e ndaj aspak mendimin pesimist që kanë disa nga kolegët e mi. Nuk jam pesimist. Në fakt, gazetaria, edhe pse në krizë, po e tregon veten në disa aspekte, si një mjet i shkëlqyer i pasqyrimit të së vërtetës. Mendoj se secili organ mediatik e ka në njëfarë mënyre në dorë fatin e vet, pavarësisht situatave të vështira në të cilat ndodhet aktualisht shtypi.

çfarë nënkuptoni me këtë?

Ne e kemi në dorë që të gjejmë mënyrën për të bërë për vete lexuesin tonë. Më besoni, cilësia dhe idetë e suksesshme vlerësohen dhe shpërblehen edhe financiarisht dhe madje edhe në kohë krize. çështja është se janë të pakët ata që i posedojnë. Një tjetër çështje është ajo e besueshmërisë së një organi shtypi dhe e shumëllojshmërisë së materialeve që boton, që do të thotë se duke qenë se një numër i madh njerëzish nxiten nga lajmet e jetëve boshe të VIP-ave, një gazetë duhet të ketë pak edhe nga këto.

Po, por ndërkohë, tirazhet e gazetave janë ulur ndjeshëm dhe ndërkohë shumë gazeta rrezikojnë që të mbyllen, duke qenë se nuk mund ta përballojnë financiarisht më situatën.

Sigurisht e gjithë bota e medias së shkruar, kudo në botë, ndodhet nën një presion shumë të madh të tirazhit. Një ditë në të ardhmen, gazetat e shtypura nuk do të jenë aq dominante saç vazhdojnë të jenë sot, por nuk parashikoj se kjo do të ndodhë së afërmi dhe nuk mendoj se mbijetesa e gazetarisë varet nga mbijetesa e institucioneve. Nuk duhet të lejojmë që nostalgjia që kemi për shtypin e shkruar të na pengojë që të shohim dhe parashikojmë se si do të jetë e ardhmja.

Disa ekspertë thonë se qeveritë duhet që të mbështesin gazetat në momentet e vështira të mbijetesës.

Jam skeptik ndaj një gjëje të tillë. E di këtë lloj mendimi, por nuk mendoj se kjo do të ishte përgjigjja e duhur ndaj këtij problemi.

Gazetaria investigative është edhe më e shtrenjtë dhe gazeta juaj ka botuar perla në këtë drejtim, si botimi për herë të parë i skandalit të Watergate, që detyroi Presidentin Nikson të jepte dorëheqjen. A e keni të mundur edhe sot që të mbështesni një gazetari të tillë?

Sigurisht. Stafi ynë i lajmeve është dukshëm shumë më i madh nga stafi që kishim në vitin 1973. Kemi një aftësi të madhe për të hetuar çështje, pra për të bërë një gazetari investigative. Kemi një grup njerëzish që merret vetëm me këtë punë.

Po, por kjo nuk vlen për gazetat lokale?

Sigurisht që një presion shumë të madh po përjetojnë gazetat e vogla dhe ato lokale, por ka nga ata që bëjnë një gazetari të një lloji shumë novativ. Një ish-kolegu im ka çelur një sajt që boton vetëm gazetari investigative. Ai fitoi këtë vit edhe çmimin “Pulitzer”. Si ai, ka edhe të tjerë që eksperimentojnë.

Para se të bëheshit drejtor ekzekutiv në “Post”, në shtator të vitit 2008, ju ishit editori i menaxhimit të “Wall Street Journal”. E latë atë vend pune pas një grindjeje me pronarin e ri të gazetës. ç’mendim keni për Murdoch?

është një person, i cili i është dedikuar me mish e me shpirt prej dhjetëra vitesh botës së medias dhe kjo është për t’u admiruar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›