E Diel, 1 Nëntor 2026

Martesa minimaliste e Kavalierit

Autori i Lajmit: red.
Një i ftuar dhe 4 dëshmitarë: 1990, Veronica martohet, dita e vetme minimale e Kavalierit. Shkëlqejnë prej mungesës nënë Rosa dhe fëmijët e barkut të parë, Marina e Piersilvio. Kortet kanë zgjatur katër muaj, në të cilat Veronica është pothuajse gjithmonë në turne. Në Romë banon në një shtëpi të ftohtë dhe si dhuratë – e para e një serie të gjatë – Silvio i dërgon një kuvertë shumë të ngrohtë. “Vështirë t i rezistosh një njeriu kështu, e pamundur të mos lidhesh me të. Është i aftë të përmbysë gjithçka, ka një energji të jashtëzakonshme”

Milano, 15 dhjetor 1990, ditë e shtunë. Çfarë martese minimaliste për një njeri të mësuar që të ekzagjerojë. Një martesë e bërë në surdinë, në mos fshehurazi: në pak minuta, pothuajse me vrap. Ka vetëm një të ftuar: nënën e nuses. Katër personat e tjerë janë dëshmitarët. Për të, as më pak e as më shumë se Bettino Craxi, engjëlli i tij mbrojtës, dhe pastaj Fedele Confalonieri, miku i përjetshëm, Administrator Delegat i Fininvest. Për të Anna Craxi e Gianni Letta, bashkëpunëtor i dhëndrit dhe këshilltari më i dëgjuar i tij. Duket se ka qenë pikërisht Gianni Letta, me maturinë dhe politesën që e shoqërojnë, ai që ka bërë presion, me qëllim që çifti, i cili tashmë ka tre fëmijë dhe bashkëjeton more uxorio prej dhjetë vjetësh, të rregullohej. Shkëlqejnë prej mungesës nëna e dhëndrit – e cila megjithatë është shumë e lidhur – dhe dy fëmijët, tashmë madhorë, të lindur me gruan e parë, Marina e Piersilvio, në mënyrë të dukshme solidarizohen me të ëmën. Silvio Berlusconi ka bërë gjithçka për ta mashtruar shtypin.
Hapte zëra se martesa ishte e afërt, por se nuk dihej dita e saktë. Do të martohem në vigjilje të Krishtlindjeve, kish lajmëruar ai. Duhej të ishte një martesë sekrete, por nuk ka qenë kështu. Kush është urithi që ua ka pëshpëritur lajmin gazetave? Dhëndri personalisht, kur në mëngjes ka shkuar në Milanello për të përshëndetur lojtarët e tij në grumbullim përpara transfertës në Romë. Me të zbritur nga helikopteri, është thirrur në interfon: centrali i Agnelli po e kërkonte. Në realitet kish qenë ai që i kish telefonuar Avokatit, për më tepër i padisponueshëm. Tundimi për t i ulërirë botës “Po martohem!” është shumë i fortë: Berlusconi nuk ia arrin, pikërisht nuk del ta mbajë për vete lajmin. Me zë të lartë dhe tingëllues, në mënyrë që të gjithë kronistët sportivë të mund ta dëgjojnë, i lë një mesazh sekretarisë së Gianni Agnelli, duke folur për veten në vetë të tretë, ashtu siç bëhet në rastet e mëdha: “Referojini Avokatit se Berlusconi donte bekimin e tij, pasi në orën 17 martohet”.
Përgëzime, buzëqeshje, shtrëngime duarsh, urime. Lojtarët e Milan i qëndrojnë të gjithë përreth. I kishin blerë edhe dhuratën: dy vazo të lashta kineze. Qesh, bën shaka. “Është e vërtetë, martohem sot, por mos e hapni fjalën andej-këtej”. Duke parë se është rrethuar nga gazetarë sportivë, Berlusconi i jep kronikës një batutë në temë: “Për mua do të jetë një natë prej kampioni bote!”. Shkëlqen nga lumturia: “E njoh Veronica prej dhjetë vjetësh, por çdo ditë me të është sikur të ishte dita e parë”. Pastaj rrëfen: “Jam i emocionuar si një i sapomartuar”. Kronistëve, për t i hequr qafe, u tregon se do të martohet në vilën e Arcore, por në realitet takimi i vërtetë është në Palazzo Marino, në sheshin e Scala, në orën 17 fiks. Çifti arrin në bordin e një “Lancia Thema” njëkohësisht me çiftin Craxi: ai po kthehet nga Sicilia dhe vjen drejtpërsëdrejti nga aeroporti i Linate. Disa minuta më vonë, nga një tjetër makinë e errët del Gianni Letta, pak me vonesë për shkak të trafikut para Krishtlindjeve. Berlusconi është me një dopjopet blu, me kollare me pika të vogla dhe pallton e zakonshme prej kashmiri, me shallin e bardhë që e mban edhe në stadium. Praktikisht është në formë. Ajo nën peliçen prej bizoni të egër mban një fustan sateni “Valentino” ngjyrë bronzi, të shkëlqyeshëm dhe pas trupit, me fyt të lartë, të ojnisur nga nyje dashurie të qepura mbi shpatullat me vata dhe mëngët.
Shumë e bukur, shtathedhur, e qetë. Flokët i ka të mbledhura, buzëkuq ngjyrë perle dhe një palë vathë të shkëlqyeshëm prej diamanti për eskortë të armatosur. Nuk duket si nuse, sikur të mos ishte për buqetën me narcizë dhe trëndafila që mban në dorë, të mbështjellë me një pastro të bardhë. Ka diçka ta papenetrueshme në shikimin e saj. Kush e njeh mirë, e di se nuk ka qenë ajo që ka këmbëngulur për martesën. Iniciativa është e Berlusconit: “Ka qenë një zgjedhje e tij. Sigurisht, e dëshiroja, por nuk kisha kërkuar kurrë asgjë. Në fakt ka ndodhur. Ndoshta është mirënjohja për kohën e kaluar së bashku”. Edhe çifti Craxi ka nxitur që të martoheshin. Në martesa ftohen vetëm personat që na besojnë, po, domethënë ata që bëjnë tifozllëk për çiftin, thekson Veronica.
Do të jetë për këtë arsye që të ftuarit janë kaq pak, bile një i vetëm. Të tjerët do të ishin të huaj. Komuna është hapur apostafat për këtë martesë kaq speciale. Dritaret janë të gjitha të errëta, korridoret të shkreta. Vetëm në zyrën e kryetarit ndriçojnë dritat. Ai që mban ceremoninë është ai, Paolo Pillitteri, që është kunati i Craxi, me xhaketë kafe dhe rripin trengjyrësh: ceremonia zgjat pak minuta, vetëm koha për të shqiptuar formulën rit. Nëpunësi i gjendjes civile lexon nenet e kodit, çifti premton besnikëri, asistencë morale e materiale, impenjohen për të mbajtur, arsimuar dhe edukuar fëmijët dhe kaq. Asnjë diskutim, asnjë shprehje për të hyrë në histori, lamtumirë e mirupafshim.
Siç referon Anna Craxi, “Silvio nuk donte bujë. Njihen prej dhjetë vjetësh, kanë tre fëmijë, nuk mungonte gjë përveç një firme në regjistër”. Por një puthje e bëjnë, me ëmbëlsi, sapo deklarohen burrë e grua. Ai është 54 vjeç, ajo 20 më pak. Më e mallëngjyera duket nëna e nuses, zonja Flora Bartolini, ish-arkëtare te “Standa”, që e ka tërhequr lart vajzën e saj të vetme pa një burrë përkrahu: “Lella ime është grua me klas të lartë, fluturon lart sipër mizerjeve tokësore”. Ajo nuk e thërret Veronica, që është një emër arti i zgjedhur në nderim të Veronica Lake, dhe nuk e thërret as Miriam, emri i saj i vërtetë anagrafik: ka përdorur gjithmonë emrin e dytë, Raffaella, ose më mirë, emrin e shkurtuar Lella.
E përshkruan si “një njeri që ka preferuar gjithmonë t i mbajë brenda emocionet e saj. Ka një cipë ekstreme për ndjenjat e saj, thuajse ka frikë se mos i largohen”. Provon të shpjegojë mekanizmin që ka tërhequr vajzën e saj të shkëlqyer te Silvio Berlusconi: “Në vetëdijen e saj, ndoshta Lella ka kërkuar gjithmonë një burrë më të rritur se vetja, si për të mbushur hendekun e lënë nga i ati: kishte nevojë për një person që t i jepte siguri, besim. Kush më mirë se Silvio, mishërimi i optimizmit?” Për sa i përket martesës dhe kërcimit të mrekullueshëm social që i derivon, është ai që e do: “Lella ka qenë goxha e kënaqur, por nuk ka ëndërruar kurrë të bëjë lëvizjen e parë. Nuk i takonte asaj”.
Aspak festime madhështore, në harmoni me një ritëm kaq nën zë, por një darkë “në familje”. Grupi i vogël transferohet në via Rovani, vilë qyteti që i ka përkitur dikur familjes Borletti. Prej vitesh është selia qendrore e kompanisë “Fininvest” dhe studioja personale e Kavalierit, por edhe çati dhe strehim për Veronica, që ka banuar për një kohë të gjatë si robinjë, fillimisht e vetme, pastaj, dora-dorës me fëmijët në kohërat e para të vështira dhe klandestine, kur Berlusconi kishte dy familje: atë zyrtare me gruan dhe dy fëmijët e rritur në Arcore, dhe atë sekrete, në ekspansion, “të fshehur”, megjithëse midis luksesh të shumta në via Rovani, me dashnoren.
Është këtu që këtë mbrëmje e presin me grushtet plot oriz tre të vegjlit: Barbara 6-vjeçare, Eleonora 4-vjeçare dhe Luigi 2-vjeçar. Për ta është festa e madhe. Përpara derës së Palazzo Marino, për të folur me shtypin, vetëm një shkëmbim i shpejtë batutash, kanë mbetur Gianni Letta dhe Fedele Confalonieri. Si gazetar dhe ish-drejtor gazete, Letta lejon të kalojnë lajmet e konsideruara si të domosdoshme, emrat dhe mbiemrat e dëshmitarëve, dhe konfirmon se ceremonia është zhvilluar dhe të sapomartuarit nuk kanë ndërruar mendje në minutën e fundit. Do të shkojnë për muaj mjalti? Përgjigjet Confalonieri, qesh dhe lidh duart si në shenjë lutjeje: “Djema, martesë e ligjshme dhe e konsumuar…”. Pak më shumë se një fantazmë ka qenë Veronica Lario gjatë gjithë këtyre viteve.
U ka thënë lamtumirë përgjithmonë ëndrrave të saj të lavdisë, duke hequr dorë nga gjithçka në botën e spektaklit, përveçse nga emri i saj i artit, një lloj talismani. Shtatzënësia e parë e saj i dha goditjen përfundimtare martesës, tashmë shumë të lëkundur, të Berlusconi dhe Carla Dall Oglio. Do të lindë çdo herë përtej kufirit, në Arlesheim të Zvicrës, larg syve të gazetarëve dhe kuriozëve. Kumbarë i vajzës së parë, që ka ardhur në jetë në korrik të vitit 1984, është Bettino Craxi. Familja e re e Kavalierit jeton prej kohësh e mbrojtur nga një perde heshtjeje dhe privatllëku që duket e pakalueshme. Vetë, në nëntor të vitit 1986, më shumë se 6 vjet nga nisja e lidhjes së tyre, Silvio i lejon shoqes së heshtur të tij një dalje publike: në Circolo della Stampa të Milanos festohen 3 milionë kopjet e revistës “Tv Sorrisi e canzoni”, i së cilës Berlusconi është botuesi.
Në mbrëmje janë të pranishëm Biagi, Tortora, Maradona, grupi rrok “Spandau Ballet”. Tri javë më pas, një tjetër bis shikueshmërie, një tjetër përmbytje leshesh për çiftin e “ri”, që bën hyrjen solemne të tij në teatrin “Scala” për premierën e operës “Nabucco”, të drejtuar nga maestro Riccardo Muti. Marrëdhënia është bërë zyrtare, por misteri rreth zonjës enigmatike mbetet tepër i dendur. Pamjet e pakta që qarkullojnë në redaksitë e gazetave janë foto të dobëta të marra me teleobjektiv në varkë ose në dëborë, me një lukuni badigardësh përreth. Ndonjë shfaqje shumë e rrallë në publik është një premierë teatrore, për më tepër me veshje mbrëmjeje të madhe, flokë të mbledhura dhe koleksione mbresëlënës stolish. Për pjesën tjetër, asnjë protagonizëm, përkundrazi: privatllëku maksimal. Berlusconi e quan një grua me temperament të madh, me shumë karakter dhe forcë shpirtërore të konsiderueshme. Veç kësaj, është shumë e ëmbël: “Pastaj, edhe pse sigurisht nuk është gjëja më e rëndësishme, përfaqëson idealin tim të bukurisë femërore. Për mua është më e bukura e të gjithave”.

Pak përpara martesës ka dashur t i dhurojë një portret të dyfishtë, ata të dy së bashku, të komisionuar për Rinaldo Geleng, mik i madh i Fellinit: ajo duket në tri të katërtat, por e rrotulluar nga shpatullat, më shumë divë nga sa është në realitet, me një fustan të derdhur pas trupit të çarë në shpinë nga një dekolte që i zbret deri në mes. Ka një fund melankolie në shikimin e saj. Ndoshta gjurma e një fëmijërie dhe e një adoleshence jo të lehtë, të jetuara në një pallat të madh popullor në periferi të Bolonjës. I ati i vdes kur ajo është vetëm 13 vjeç, e ëma shkon të punojë nga nevoja si shitëse tek “Standa”. Miriam-Lella-Veronica përshkruhet si një vajzë e përqendruar dhe e heshtur, hiper e ndjeshme dhe thonë se ka qenë pikërisht vetmia ajo që i ka kalitur karakterin.
Tepër e bukur për të mos bërë aktoren, pas liceut artistik regjistrohet në një kurs recitimi në Antoniano. “Falë teatrit kam mundur ndrojtjen time, do të thotë ajo. Teatri ka nxjerrë jashtë një karakter të qetë që nuk e dija se e kisha”. Falë teatrit njeh ose më mirë godet Silvio Berlusconin. Ka ndodhur dhjetë vjet më parë, në Milano. “Kam ndjerë një goditje rrufeje, por nuk kishte furtunë”, do të kujtojë Kavalieri. Pronar i teatrit “Manzoni”, kishte shkuar në sallë për t i hedhur një sy “Brinoçit të mrekullueshëm”, në të cilin Lario luante përkrah me Enrico Maria Salerno, komedi e mbështetur mbi xhelozinë e një bashkëshorti që për të pasur konfirmimin e makthit të tij, e shtyn të shoqen, mjaft besnike, në krahët e burrave të tjerë, deri kur ajo i arratiset me një fshatar të shëndetshëm nga zemra dhe mendja. Sipërmarrësi mbetet i hipnotizuar nga sharmi tundues i aktores, e cila në një prej skenave luan me gjirin madhështor lakuriq. Me rënien e siparit vrapon që të trokasë në derën e saj, si i goditur.
Me një këmishë mëndafshi ngjyrë fildishi të mahnitshme gati për t i rënë, sy të mëdhenj praj maceje ngjyrë deti, gojën mishtore, mollëza të ngritura, një masë të madhe flokësh, trupin plastik dhe të butë njëherazi, Veronica Lario i ishte dukur një shëmbëllim, thelbi i feminilitetit dhe i sensualitetit tërheqës, e bukur sa për të lënë pa frymë: “Nuk ma ka prezantuar askush. Është prezantuar vetë. Ka ardhur në dhomë dhe më ka bërë një thes me komplimente. Më ka thënë se isha e zonja. E kam besuar dhe qysh atëherë nuk kam reshtur së besuari”, do të tregojë ajo.
Në realitet qenë njohur, megjithëse kalimthi, një vit më parë, kur Lario së bashku me shoqërinë me të cilën luante u ftua në një darkë pikërisht në Rovani, por në atë rast Berlusconi nuk e kish vënë re. Kortet kanë zgjatur katër muaj, në të cilat Veronica është pothuajse gjithmonë në turne. Në Romë banon në një shtëpi të ftohtë dhe si dhuratë – e para e një serie të gjatë – Silvio i dërgon një kuvertë shumë të ngrohtë. “Vështirë t i rezistosh një njeriu kështu, e pamundur mos të lidhesh me të. Është i aftë të përmbysë gjithçka, ka një energji të jashtëzakonshme”. Gradualisht Veronica u dorëzohet korteve të tij, por nuk e ka marrë akoma vendimin që t ia sakrifikojë karrierën kauzës.
Edhe falë mbrojtjes së tij xhiron disa filma me regjisorë të njohur. “Tenebre” është një prej më mizorëve ndër ata të drejtuar nga Dario Argento, nuk ka personazh që të mos ketë një fund të tmerrshëm: asaj i shkulet një dorë midis ulërimash frenetike dhe lumenjsh të mëdhenj gjaku, por kur filmi kalon në rrjet “Fininvest” skena çdo herë hiqet me shumë kujdes. Sikur të ekzistonte një çmim “Oscar” për kasaphanën, shkruan një kritik kinematografik, me siguri ky film do ta fitonte. Te filmi “Sotto sotto, strapazzati da anomala passione”, i drejtuar nga Lina Wertmüller, pasioni anormal është i saj, bashkëshorte e trishtuar, për një mike të re: një satirë për italianin e mesëm maskilist dhe xheloz, të cilit i takon fati që të zbulojë se gruaja e tij është dashuruar me një grua.

Gjatë filmimeve, Veronica është shtatzënë dhe, teksa xhiron skenat e fundit, nuhat se kjo është lamtumira përfundimtare ndaj karrierës së saj si aktore. Zgjedh ose ndoshta pranon eklipsisin. Ditë pas dite bëhet gruaja e padukshme, robina e via Rovani: e devotshme, e gatshme, e heshtur dhe shumë e durueshme.
Ky lajm është publikuar: 09/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›