E Diel, 1 Nëntor 2026

Përvojë për zbatimin e procesit të Bolonjës në Shqipëri

Autori i Lajmit: red.
Ekspertë të UNESKO-s për arsimin do të vijnë në Shqipëri, me kërkesë të Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, për të dhënë përvojën dhe ndihmën e tyre në zbatimin e Procesit të Bolonjës. Zyra e shtypit pranë Kuvendit të Shqipërisë, bëri të ditur sot se znj. Topalli e parashtroi këtë kërkesë gjatë një takimi që zhvilloi në Tiranë Jan De Groof, i ngarkuar i UNESKO-s për të drejtën për arsim, President i Shoqatës së Europës për legjislacionin dhe politikat arsimore, njëkohësisht një nga profesorët më në zë të Kolegjit të Europës në Bruzh, Belgjikë. Biseda u fokusua në ligjislacionin për arsimin e lartë, në sigurimin e cilësisë në sistemin arsimor dhe në sfidat për përafrimin me standardet europiane. Kryetarja e Kuvendit e njohu zotin De Groof me ligjet e miratuara në Kuvend për arsimin. “Sistemi arsimor, veçanërisht arsimi i lartë, është një prioritet kryesor i yni", tha zonja Topalli, duke nënvizuar se "gjatë viteve të fundit ne kemi miratuar një sërë ligjesh në këtë fushë dhe kemi dyfishuar numrin e studentëve në auditoret e universiteteve tona”. Nga ana e tij De Groof theksoi rëndësinë e zbatimit konkret të parametrave të cilësisë në arsim, dhe vlerësoi rolin e Kuvendit në përmirësimin e legjislacionit në këtë fushë.
Ky lajm është publikuar: 09/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›