E Diel, 1 Nëntor 2026

Plazhi i Velipojës gati për hapjen e sezonit turistik ne 15 qershor

Autori i Lajmit: red.
Velipoja pritet të çelë në 15 qershor sezonin turistik të këtij viti, duke u ofruar pushuesve të shumtë kushte më të mira gjatë kësaj vere. Kryetari i komunës i Velipojës në rrethin e Shkodrës, Nikoll Marku, që administron zonën e plazhit, thotë se "në fakt, hapja e sezonit ishte menduar të bëhej më përpara këtë vit, por disa arsye objektive, ndër të cilat edhe ndërhyrjet e ndërtimorëve në prishjen e disa objekteve të ndërtuara pa leje, si dhe masat për pastrimin e tyre, bënë që kjo datë të spostohej pak më vonë". Sipas Markut, "Velipoja gjatë këtij viti është transformuar në të gjitha drejtimet, duke filluar që nga infrastruktura rrugore, e cila në sajë të mbështetjes së Qeverisë tashmë është me parametra bashkëkohorë që në dalje të qytetit të Shkodrës, ose siç njihet nga banorët "kthesa e Bërdicës" dhe deri në plazh". Ai nënvizoi se përveç kësaj, një tjetër komoditet në infrastrukturën rrugore brenda plazhit është ndërtimi i rrugës së re nga qendra e plazhit deri në Vilu, e cila prej vitesh ka qenë tepër problematike për qarkullimin e automjeteve. "Tashmë, ajo jo vetëm që është e zgjeruar në parametrat e duhur, por edhe është shtruar tërësisht në asfalt si dhe është pajisur në të dy anët me trotuar, ndriçim, gjelbërim dhe të gjitha kërkesat e duhura", shtoi ai.
Ky lajm është publikuar: 09/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›