E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martesat me të huajt, shumë joshëse

Nga 22 kurorëzimet që kanë ndodhur nga shqiptarët e komunës së Ferizajt, me persona të nacionaliteteve të tjera për vitin 2009, janë 8 femra ferizajase që kanë lidhur kurorë me persona të nacionaliteteve të ndryshme. Nga këto 8 femra ferizajase, 6 prej tyre kanë lidhur kurorë me persona nga Amerika. Njëra ka lidhur kurorë me një gjerman, ndërsa njëra me një turk. Nga këto kurorëzime me persona të nacionaliteteve të tjera, del se 5 ferizajas janë martuar me gjermane. Nga 14 martesat e djemve ferizajas, ka asi që janë martuar edhe me filipinase.

Të gjitha këto kurorëzime janë të evidencuara në librin për kurorëzim, në zyrën e ofiqarit të Komunës së Ferizajt, Fadil Zejna. “Është rritur interesimi i femrave tona për të lidhur kurorë me persona të nacionaliteteve nga vende të ndryshme të botës. Deri tash kemi më shumë femra të interesuara për t’u martuar me amerikanë”, thotë ofiqari i Komunës, Fadil Zejna.

Sipas tij, femrat tona jo që nuk e shikojnë më nacionalitetin tjetër si pengesë për martesë, por as ngjyrën e personave. Nga këto martesa ka pasur disa që janë martuar me persona të ngjyrës së zezë.

Ofiqari Zejna dëshmon se për vitin e kaluar ka bërë edhe kurorëzimin e 6 vajzave të mitura, përkatësisht të atyre nën moshën 18-vjeçare. “Këto kurorëzime bëhen me një vendim gjykate, i cili mbështetet në raportin e Institutit të Mjekësisë ligjore në Prishtinë. Ka pasur raste kur janë kurorëzuar të miturat që edhe kishin lindur para se të bënin kurorën”, thotë ofiqari Zejna. Ai thotë që numri i kurorëzimeve të personave nën moshën 18-vjeçare do të ishte edhe më i madh sikur shteti i Zvicrës të mos lejonte bashkimin familjar nën moshën 18-vjeçare. “Ka raste kur personave të martuar nën këtë moshë ua tregoj këtë gjë dhe ata nuk e bëjnë kurorën pa e mbushur moshën e caktuar”, thotë ofiqari Zejna.

Ai në sallën e tij të vogël ka vazhdimisht punë. Është rritur edhe numri i atyre që bëjnë kurorë pas shumë vitesh. Kjo jo pse personat e tillë kanë bashkëjetuar, por pse kurorëzimin e kanë vlerësuar vetëm si një dokument të thjeshtë. “Ishte një politikë e UNMIK-ut që të lëshonte dokumentet zyrtare pa certifikatën e kurorëzimit. Tash kur qytetarët duhet ta kenë këtë dokument për të nxjerrë dokumentet zyrtare siç është leja e njoftimit, kanë vërshuar për t’u kurorëzuar. Shumica prej tyre vijnë të kurorëzohen pasi kanë kaluar disa vite martesë”, thotë ofiqari Zejna.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›