Në QKU, ndryshime në mars
Pas zgjedhjeve për drejtorin e përgjithshëm të QKUK-së në vitin që e lamë pas, marsi do të jetë muaji vendimtar për drejtorët e rinj të Qendrës Klinike Universitare të Prishtinës. Drejtorët e tanishëm kanë kontratë deri në muajin mars të këtij viti.
Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu thotë se pas skadimit të kontratave, do të hapet konkursi për drejtorë të rinj të klinikave. Sipas tij, në konkurs do të caktohen edhe kriteret e përzgjedhjes, përderisa gjithçka do jetë e bazuar në Ligjin dhe respektimin e normave ligjore që janë në fuqi.
Përzgjedhja e drejtorëve në 23 klinikat përkatëse do të jetë e ndërlidhur me vlerësimin e punës që do të bëhet për secilin drejtor të klinikës.
“Deri tani, të gjithë drejtorët e këtyre klinikave kanë qenë mjekë, të cilët kanë punuar edhe në profesionin e tyre, mirëpo nuk do të përjashtohet mundësia që këta mjekë të cilët kanë punuar dhe kanë menaxhuar mirë, të rizgjidhen prapë për të drejtuar me klinikën e caktuar”, shton ai.
Por, sipas Fazliut, do të ketë konkurs edhe për juristë apo ekonomistë, që i plotësojnë kriteret që kërkohen në aplikacion.
Konkursi për drejtuesit e rinj të QKUK-së nuk është hapur akoma, megjithatë çdo gjë do të bëhet e ditur me kohë dhe nuk do të ketë vakuume apo vonesa në këtë drejtim, njoftojnë zyrtarët përgjegjës për përcaktimin e datës së këtij konkursi. (L. H.)